Secondary Adv

Mbi 708.3 mln leke do shkojne per rehabilitimin e Bulevardit Zogu i Pare: Ja detajet e investimit

Share on Google+

Siç ishte premtuar më herët, Bulevardi “Zogu i Parë” i cili fillon nga ish-Stacioni i Trenit deri në Sheshin Skënderbej do t’i nënshtrohet së shpejti rehabilitimit. 

 

Bashkia e Tiranës ka hapur zyrtarisht procedurat e tenderimit për këtë investim madhor, duke vënë në dispozicion të zbatimit të këtij projekti një fond limit prej më shumë se 708.3 milionë lekë. Operatorët ekonomikë të interesuar do të mund të dorëzojnë kërkesat për pjesëmarrje brenda datës 11 prill, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar 18 muaj kalendarikë nga firmosja e saj. Nga detajet e investimit, grafiku i punimeve përfshin një sërë ndërhyrjesh në të gjithë gjatësinë e bulevardit. Më konkretisht, do të bëhet rivendosja e shtresave rrugore, si dhe vendosja e pesetave në të gjitha pikat e nevojshme. Projekti përfshin edhe riparimin dhe zgjatimin e pjesës së sipërme të shkallëve duke krijuar një hyrje më të përshtatshme për Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. 

 

Po ashtu, do të bëhet edhe kanalizimi i ujërave të bardha me standardet bashkëkohore. Gjelbërimi njëkohësisht do t’i kushtohet një rëndësi e madhe, ku propozohet çrrënjosja e pemëve ekzistuese dhe mbjellja e pemëve të reja, që do të jenë kryesisht pjesë e florës vendase të Shqipërisë. Po ashtu, parashikohet vendosja dhe instalimi i rrjetit elektrik përgjatë gjithë bulevardit me ndriçues të llojeve të ndryshëm. Në zona të ndryshme të këtij të fundit do të përdoren edhe stola të njëjtë me ato që janë vendosur në Sheshin “Skënderbej.” Ndërkohë, projekti parashikon edhe rregullimin e të gjitha fasadave përgjatë bulevardit si dhe krijimin e katër shesheve të reja si dhe një shatërvan. Ndërsa, është propozuar edhe krijimi i një hapësire të posaçme edhe për biçikletat. Më herët, kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se ky bulevard do të kthehet në një rrugë shopping-u, e ngjashme me Pazarin e Ri./Scan


Më të lexuarat