Secondary Adv

ATP njoftim per ish-pronaret: Te terhiqen dosjet qe u ka perfunduar afati 3 vjetor i rishikimit

ATP ka njoftuar qytetarët të cilët kanë depozituar dosje me kërkesa për kthim apo kompensim pronash se mund të paraqiten për të marrë mbrapsht dosjet.

 

Vlerësimi financiar

Në zbatim të Ligjit Nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, Agjencia e Trajtimit të Pronës, si institucioni i ngarkuar për zbatimin e këtij Ligji, ka përfunduar afatin 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e atij ligji, sipas të cilit ATP-ja vlerëson vetëm financiarisht të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Nëse ATP-ja nuk e ka përmbushur brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin e mësipërm, për arsye të ndryshme, subjektit kërkues i lind e drejta t’i drejtohet Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Sipas përcaktimeve të nenit 15 të ligjit, afati i vlerësimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën për kompensim nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave përfundoi më datën 23 shkurt 2019. Sa më sipër, Agjencia e Trajtimit të Pronave tashmë ka informuar subjektet e interesuara për mbylljen e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

 

Kërkesat e patrajtuara

Në të njejtën kohë, ka përfunduar edhe afati për shyrtimin e të gjitha dosjeve, që kishin mbetur në vite pa u shqyrtuar. Pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kanë qenë për tu shqyrtuar gjithsej 16.462 kërkesa të patrajtuara për 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë, të cilat përfaqësojnë kërkesat për njohjen e së drejtës së pronës, të bëra para hyrjes në fuqi të Ligjit 133/2015 si dhe kërkesat e bëra brenda afatit 90-ditor nga hyrja në fuqi e Ligjit. Në bazë të kompetencave që Ligji i ka njohur, Agjencia e Trajtimit të Pronave, gjatë periudhës 3-vjeçare, ka trajtuar 9.512 kërkesa, për njohjen e së drejtës së pronës. Ligji 133/2015, në nenin 34 të tij përcakton se “Procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, përfundon brenda 3 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Procesi i ndarjes së Fondit të Kompensimit të pronave vazhdon deri në kompensimin, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të të gjitha subjekteve që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi dhe brenda afatit të përcaktuar në pikën 6, të nenit 16, të këtij ligji.

 

Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat brenda afatit 3-vjeçar, atëherë subjektet mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Sipas përcaktimeve të nenit 34 të ligjit, afati i shqyrtimit të kërkesave të patrajtuara nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave përfundoi më datën 23 shkurt 2019. Në këto kushte, Agjencia e Trajtimit të Pronave, me anë të këtij njoftimi informon të gjithë subjektet të cilëve nuk i është trajtuar kërkesa, se mbështetur në nenin 34 të ligjit 133/2015, mund t’i drejtohen gjykatës së shkallës së parë, për të kërkuar trajtimin e kërkesës së tyre.Gjithashtu, të gjithë subjektet aplikues (trashëgimtar ligjor/përfaqësues me prokurë) do të njoftohen nga Agjencia e Trajtimit të Pronave idividualisht, të tërheqin dokumentacionin e depozituar pranë sporteleve të institucionit, në mënyrë që të fillojnë me procedurat pranë gjykatës së shkallës së parë.

 

Formulari

Për të tërhequr dokumentacionin e depozituar pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës në mbështetje të kërkesës së tij për njohje pronësie, qytetari i interesuar duhet të dorëzojë në ATP një formular, ku duhet të raportojë disa të dhëna. Kështu, përveç gjeneraliteteve kryesore, duhet raportuar edhe numri i dosjes (dosjeve) që kërkohet të tërhiqen, fakti nëse personi është një trashëgimtar direkt apo një përfaqësues me prokurë i pronarit apo familjes së tij.

 

Më tej, duhet të bëhet deklarata si më poshtë:

“Unë i nënshkruari “AA” (përfaqësues si trashëgimtar ligjor/përfaqësues me prokurë), bazuar në nenin 34 të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, kërkoj të tërheq të gjithë dokumentacion e paraqitur në emër të subjektit “BB” pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, i cili i përket kërkesës së pashqyrtuar brenda afateve ligjore, për njohjen e të drejtës së pronës dhe kompensimin e saj”.

 

Prokura

Në rastet kur kërkuesi nuk është i njëjti person me aplikuesin e dosjes apo praktikës, bashkëlidhur kërkesës duhet të depozitohet edhe një prokurë përfaqësimi, e nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët ligjorë të subjektit të shpronësuar, që e legjitimojnë kërkuesin në këtë kërkim. Dokumentacioni që do të depozitohet në ATP duhet të jetë me vule të njomë, kopje origjinale ose e noterizuar./Shqiptarja.com


Më të lexuarat