Secondary Adv

Arrihet marreveshja me UBT: Hapet rruga per ndertimin e Shkolles ne Koder-Kamez

Share on Google+

Senati i UBT i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit në Kodër-Kamëz, duke deklaruar se nuk mund të mohohet nevoja e banorëve për një shkollë. 

 

"Ndërtimi i shkollës është domosdoshmëri. Shkolla është vepër e mirëpritur.Takimet e ditëve të fundit qartësuan marrëdhëniet juridike dhe procedurale. Senati mbështet unanimisht marrëveshjen e lidhur mes UBT-së, ministrisë dhe bashkisë së Tiranës për paktin për universitetin" thuhet ndër të tjera në deklaratën e Senatit të Bujqësorit. Kështu rektori i universitetit, grupi i pedagogëve dhe studentëve me në krye dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi në protestë janë tërhequr duke i hapur rrugën shkollës së re. Disa orë përpara protestës së sotme të lajmëruar nga PD, mbyllet një tjetër protestë e opozitës. Tashmë shkolla “Nënë Tereza” do të ndërtohet sipas gjurmës së përcaktuar nga Bashkia e Tiranës në studimin për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në qytetin e Tiranës. 

 

Vendimi i Senatit erdhi pas arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e shkollës së re në Kodër Kamzë midis Bashkisë Tiranë, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë, pasi fillimisht UBT-ja pretendonte se në atë territor do të ndërtohej kampusi, por e vërteta ishte ndryshe. Bashkia e Tiranës ka përshëndetur dhe mirëpret vendimin e Senatit dhe Rektoratit të UBT-së, i cili i hap dritën jeshile ndërtimit të shkollës “Nënë Tereza”, e cila 'është një domosdoshmëri për banorët e zonës së Kodër-Kamzës dhe qytetit të Tiranës'. Senati i Universitetit Bujqësor të Tiranës i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës dhe komunitetit të zonës në Kodër-Kamëz, duke deklaruar se nuk mund të mohohet nevoja që kanë banorët për një shkollë të ciklit parauniversitar, ashtu siç nuk mund të mohohet edhe interesi i lartë publik që vepra mbart në vetvete./Shqiptarja.com 


Më të lexuarat