Secondary Adv

Pagesa per rruget: Ne 2018 u mblodhen 146 milione euro takse qarkullimi tek nafta

Share on Google+

Shqiptarët paguan nëpërmjet blerjes së naftës rreth 18.3 miliardë lekë ose 146 milionë euro taksa gjatë vitit të kaluar. 

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të ardhurat tatimore nga Taksat e Qarkullimit dhe Karburantit, të cilat janë programuar 16.4 miliard lekë, janë arkëtuar 18.3 miliard lekë, me një tejkalim prej 1.9 miliard lekë ose 11.5% më shumë. Tejkalimi erdhi për shkak të çmimeve më të larta të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe për rrjedhoje edhe në tregun vendas. Taksa e qarkullimit, që vilet aktualisht në shitjen me pakicë të naftës në nivelin 32.4 lekë për litër me gjithë TVSH për çdo litër karburant dhe parimisht është vënë për të mbuluar shpenzimet e qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve. Taksa u është ngarkuar direkt përdorëseve të rrugëve, të cilët e paguajnë gjatë blerjes së karburantit. Mirëpo të ardhurat nga taksa e qarkullimit janë disa herë më të larta se sa shpenzimet vjetore të qeverise për mirëmbajtjen e rrugëve. Gjatë vitit 2018 u shpenzuan 1.5 miliardë lekë ose 12 milionë euro sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës ose rreth 12 herë më pak se sa taksa e grumbulluar e qarkullimit.

 

Vitin e kaluar opinioni publik u përfshi në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare. Tatimi që parimisht ka për destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që paguhet nga përdoruesit e automjeteve te çmimi i karburantit kalon disa fish nevojat e mirëmbajtjes që kërkon infrastruktura rrugore. Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës. Struktura e të ardhurave tatimore tregon se, TVSH-ja vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor në të hyrat publike me 34% të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi të ardhurat personale përbën 22 % të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi fitimin zë 22 % të të ardhurave tatimore dhe Taksa e qarkullimit mbi karburantin zë 10% të të ardhurave tatimore. Ish Ministri i Financave kishte Arben Ahmetaj kishte komentuar se Taksa e qarkullimit nuk shkon në destinacionin e përdorimit. Shkon për ndërtim rrugësh, shlyerjen e borxhit të trashëguar, për financimin e shëndetësisë dhe ndihmës ekonomike./Monitor 


Më të lexuarat