Secondary Adv

Albpetrol raporton rritje te prodhimit te naftes: Mbi 5 mije ton vetem ne muajin prill

Share on Google+

Qendrat e Prodhimit të Naftës në Kuçove dhe në Gorisht-Kocul kanë rritur prodhimin në muajin prill duke arritur një total prej 5003 ton vetëm për muajin e katër të vitit. 

 

Albpetrol raportoi se pas një ecurie të dobët në muajt e parë të vitit duket se prilli ka shënuar edhe kthesën dhe qendrat janë fokusuar tek rritja e prodhimit si një objektiv kryesor për vitin 2019 çka do të mbështetet edhe përmes rritjes së investimeve. “Rezultatet e para kanë ardhur në Qendrën e Prodhimit të Naftës Gorisht, ku muaji Prill 2019 ka njohur një rritje prodhimi në masën 60 ton në krahasim me sasinë e programuar. QPN Gorisht përfshin vendburimet e Gorisht-Koculit; Amonicës dhe Karbunarës. Peshën kryesore në këtë vendburim e mban Gorisht-Koculi ku për muajin Prill 2019 janë prodhuar 2.883 ton naftë. Në total QPN Gorisht, sipas programit të muajit Prill, duhet të prodhonte 3.300 ton naftë dhe ka arritur të prodhojë 3.360 ton naftë. 

 

Në tre muaj te parë të vitit prodhimi i naftës në këtë ndërmarrje ka rezultuar ndjeshëm më poshtë se programimi, duke krijuar një deficit prej 326 ton naftë, të cilat pritet të rikuperohen gjatë muajve në vijim” vlerëson Albpetrol. Kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës nënvizon se përveç Qendrës së Prodhimit të Naftës Gorisht, që prodhoi 60 ton naftë më shumë, tashmë edhe situata në Kuçovë është stabilizuar. “Qendra e Prodhimit të Naftës Kuçovë ka arritur normën e parashikuar prej 1643 ton naftë në muaj. Në fillim të vitit kjo qendër rezultonte me 31 ton më pak. Brenda një kohe të shkurtër dy qendrat kryesore të prodhimit të Albpetrol sh.a kanë stabilizuar situatën dhe kanë tejkaluar problemet që patën në muaj te parë të vitit” thuhet në njoftimin e kompanisë. Në fillim të majit kompania nxori në ankand mbi 75 mijë ton naftë brut për ta shitur atë tek kompanitë e interesuar, një procedurë që duket se është në fazën e vlerësimit të ofertave./Monitor


Më të lexuarat