Secondary Adv

BSH parashikon ngadalesim te ekonomise ne tremujorin e pare: Ja faktoret ndikues

Share on Google+

BSH parashikon që ekonomia të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit, e ndikuar nga rënia e prodhimit të energjisë, si dhe tkurrja e investimeve të huaja. 

 

Në kahun tjetër edhe ambienti i jashtëm po përkeqësohet, duke bërë që banka Qendrore Europiane të shtyjë vendimin për politikën monetare. Banka e Shqipërisë prezantoi sot raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas ekspertëve të bankës, rritja ekonomike në tremujorin e parë 2019 do të ketë ecuri të ngjashme me tremujorin e katërt 2018, çka do të thotë se ritmet e rritjes do të jene disi më të ngadalta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në tremujorin e fundit 2018, rritja ekonomike ishte 3.1%. Në raport me tremujorët e mëparshëm, rritja është shumë më e ulët. Në tremujorin e parë 2018 ekonomia u rrit me 4.42%, në të dytin me 4.32% dhe në të tretin me 4.48%, e nxitur nga prodhimi i energjisë nga reshjet e bollshme. 

 

Banka vlerëson që mungesa e prodhimit të energjisë dha një efekt të dyfishtë si në rritjen ekonomike dhe në zgjerimin e deficitit tregtar në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas raportit, zhvillimet ekonomike e financiare në vend mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik vijon të rritet, kapacitetet e pashfrytëzuara në tregun e punës e kapitalit janë reduktuar dhe tregjet financiare janë të qeta. Presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, por efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit ka frenuar rritjen e inflacionit drejt objektivit. Ritmi i rritjes ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2018 dhe norma e inflacionit në tremujorin e parë të vitit 2019 u ngadalësuan. Kjo ecuri ishte në përputhje me pritjet tona, por treguesit rezultuan në nivele më të ulëta sesa parashikimet. Inflacioni vjetor shënoi vlerën mesatare 1.6% për tremujorin e parë të vitit 2019, duke u reduktuar nga tremujori paraardhës. 

 

Rënia e tij pasqyroi kryesisht shuarjen e efektit të rritjes së çmimeve të qerasë dhe ujit një vil më parë dhe reduktimin e fortë të inflacionit të produkteve bujqësore në muajin mars. Ecuria e inflacionit është diktuar kryesisht nga faktorë të ofertës, ku veçojmë mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit me partnerët tanë tregtarë, i cili ka qenë më i madh në tremujorin e parë të 2019. Ai pritet që të reduktohet gradualisht në tremujorët pasues. Ecuria e inflacionit ka gjetur mbështetje nga zgjerimi i kërkesës, i pasqyruar më tej në përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese. Megjithatë, nivelet e ulëta të inflacionit bazë sugjerojnë se presionet inflacioniste afatmesme janë të ulëta. Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.1% gjatë tremujorin të katërt dhe me 4.1% për vitin 2018. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe ritmet më të ngadalta të rritjes në sektorin e shërbimeve sollën ngadalësimin e rritjes ekonomike në tremujorin e fundit. 

 

Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e brendshme private, ndërsa eksportet neto e ndikuar negativisht atë. Të dhënat paraprake sugjerojnë se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2019 do të vijojë me ritme të përafërta me ato të tremujorit të kaluar. Kredia për ekonominë është rritur me 6 % në tremujorin e parë, e zhveshur nga kursi i këmbimit dhe efekti i fshirjes nga bilancet të kredive të këqija. Zhvillimet ekonomike në vend janë mbështetur, ndër të tjera, nga politika monetare lehtësuese. Niveli i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve. Ritmi i kreditimit të sektorit privat është përmirësuar në tremujorin e parë të 2019, i mbështetur nga rritja e kredisë në lekë dhe nga rritja e kredisë për biznese./Monitor 


Më të lexuarat