Secondary Adv

Fondi i Nderhyrjes se Jashtezakonshme: Bankat kane derdhur 1.3 mld leke per dy vjet

Në fund të muajit prill, sistemi bankar ka derdhur plotësisht detyrimin për vitin e dytë në fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.  

 

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, deri në 30 prill në këtij viti, në fond u derdhën 650 milionë lekë. Këto i shtohen 632 milionë lekëve të derdhura në vitin e parë dhe që e çojnë, deri tani, në vlerën e rreth 1.28 miliardë lekëve kontributin e bankave për ngritjen e këtij fondi. Ligji “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka”, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2017, parashikon krijimin e një fondi shpëtimi që duhet të jetë sa 0.5% e vlerës totale të detyrimeve të sistemit bankar brenda një afati 10-vjeçar. Vlera e synuar e fondit, deri në vitin 2027, është rreth 6.5 miliardë lekë. Sipas ligjit, fondi administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe mund të investohet pjesërisht në instrumente financiare me rrezik të ulët. Deri tani, investimet konsistojnë në letra borxhi të qeverisë shqiptare. 

 

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme ose siç njihet ndryshe Fondi i Shpëtimit të Bankave është një mekanizëm që u krijua në vendet e Bashkimit Europian, pas krizës financiare. Kriza në fjalë kërkoi angazhimin e fondeve publike për shpëtimin e disa bankave brenda Unionit. Me qëllim që operacione të tilla në të ardhmen të mos rëndojnë buxhetet kombëtare dhe taksapaguesit, u krijua skema e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sipas të cilës bankat duhet të kontribuojnë vetë për të krijuar një fond që do t’i shpëtojë, në rast nevoje, në të ardhmen. Shqipëria nuk u përball me nevojën për të shpëtuar ndonjërën prej bankave, por ky mekanizëm mbrojtës u krijua edhe në vendin tonë, në modelin e praktikave të reja të rregullimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, është e qartë se praktikat e paskrizës që forcojnë në mënyrë drastike rregullimin e tregjeve kanë krijuar kosto shtesë që, në fund të fundit, do të paguhen nga publiku në çmimin e produkteve dhe shërbimeve bankare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në harkun e pesë viteve të fundit të ardhurat e sistemit bankar kanë komisionet janë rritur me pothuajse 40%./Scan


Më të lexuarat