Secondary Adv

Aeroporti i Kukesit mer miratimin nga KKT: Kalon edhe leja per inceneratorin e Tiranes

Aeroporti i Kukësit ka marrë lejen e zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e fundit të mbajtur nga ky institucion në mbledhjen e pak ditëve më parë. 

 

Përveç aeroportit një tjetër vendim i rëndësishëm është ai për lejen e ndërtimit për inceneratorin e Tiranës e cila fillimisht ishte planifikuar të miratohej në datë 27 shkurt por që më pas u hoq nga rendi i ditës për t’u miratuar në atë të 17 majit. Këshilli Kombëtar i Territorit ka kaluar në diskutim të paktën 22 pika nga të cilat disa janë plane vendore për bashki të rëndësishme në vend si Bashkia e Vlorës, Korçës, plani vendor për Vorën si dhe Kolonjën. Një pjesë e vendimeve prekin Bashkinë e Tiranës dhe lidhen me projektin e zgjerimit të impiantit në Bovillë.

 

Aeroporti i Kukësit

Në janar të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin për garën e dhënies me koncesion/PPP të Aeroportit të Kukësit bashkimin e përkohshëm të Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlere investimi prej 7,999,393 Euro (pa TVSH) është identifikuar nga komisioni si oferta e suksesshme. Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit. Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët. 

 

Inceneratori i Tiranës

Inceneratori i Tiranës u dha si projekt koncesionar në vitin 2017 në një garë ku fituese u shpall ‘Integrated Eregy BV SPV, kompania zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Integrated Energy B.V. e regjistruar në Holandë. Kompania fitoi në garën për koncesionin e nderimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH. Afati i koncesionit është 30 vjet. Inceneratori i Tiranës është një nga tre projektet e kësaj natyre në vendin tonë ku i  pari ishte ai i Elbasanit, i Albtek Energy me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekë tashmë në gjendje pune, i dyti inceneratori i Fierit me një kosto 3.97 miliardë lekë. Vetëm pak ditë më parë kompania që ka koncesionin e inceneratorit të Tiranës dorëzoi një dokument pranë autoriteteve shqiptare për të kërkuar miratimin e lejeve mjedisore për landfillin e mbetjeve të rrezikshme jo radioaktive që është nënprojekt i projektit kryesor./Monitor


Më të lexuarat