Secondary Adv

Kredia per shtepi u rrit me 11 per qind ne 2019, shtohen kerkesat per periferine

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kredia për shtëpi u rrit me 11%, krahasuar me një vit më parë.

 

Në fund të muajit mars, stoku i huave të dhëna për blerje shtëpie në lekë ishte 57.5 mld lekë, ndërsa stoku i kredisë për blerje banese në monedhën euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë ishte 53.8 miliardë lekë. Kredia e dhënë në euro shënoi rënie për shkak të nënçmimit të valutës, por edhe si pasojë e politikës së deeuroizimit që ka ndjekur Banka e Shqipërisë, për të ulur përdorimin e monedhës së përbashkët në ekonomi.

 

Klajdi Memajdini nga DevInf thotë se 70-80% e shitjeve që ndërmjetësohen nëpërmjet agjencisë së tij financohen nëpërmjet kredisë. Sipas oficerëve të kredisë që punojnë në bankat tregtare, huatë për blerje banese kanë risk të ulët dhe rrallë klasifikohen si kredi të këqija, sepse individët përpiqen me çdo kusht që të jenë në rregull me bankat për të mos humbur shtëpitë. Periferia kërkohet nga individët me të ardhura të ulëta, të cilët janë favorizuar nga kreditë e buta. Në fund të 2018-s, 1104 kryefamiljarë ishin përfitues të kredisë së butë, të cilët përfitojnë kredi për shtëpi me interes fiks prej 3%, ndërsa pjesa tjetër i subvencionohet nga Bashkia e Tiranës. 

 

Shuma totale e kredisë së butë për fituesit e 2018-s është 5.9 miliardë lekë. 359 prej tyre kanë aplikuar për një garsoniere, më shumë se gjysma për një shtëpi 1+1, ndërsa 194 për një shtëpi 2+1. Burime nga tregu pohojnë se pjesa më e madhe e individëve, përfitues të kredive të buta kanë të ardhura të ulëta, jo më shumë se 75-80 mijë lekë në muaj, të cilët në përgjithësi nuk kanë mënjanë kursime të tjera përveç kredisë. Përgjithësisht këta kanë furnizuar kërkesën për blerje në periferi, në zonën e Yzberishtit apo Freskut, ku sipas oficerëve të kredisë janë rritur çmimet. Ndërtuesi Hajredin Fratari thotë se ka operuar kryesisht me apartamentet me çmime të lira dhe klientët e tyre kanë qenë kryesisht familjet e reja, të cilët kanë përfituar kreditë e buta./Balkanweb


Më të lexuarat