Secondary Adv

Pastrimi i parave: Kuvendi miraton paketen e re ligjore, ja detyrimet e bizneseve

Kuvendi ka miratuar dje një paketë të posaçme ligjesh, të quajtur Paketa Moneyval, që synon përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti i Këshillit të Evropës.

 

Pesë ligjet parashikojnë ndryshime në ligjin për regjistrimin e biznesit, për procedurat tatimore, për masat kundër financimit të terrorizmit, për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara. Rekomandimet e Komitetit Moneyval lidhen përmbushjen e disa objektivave thelbësorë, si parandalimi i pastrimit të parave, që burojnë kryesisht nga aktiviteti kriminal, dhe forcimi i luftës kundër financimit të terrorizimit. Me amendimet e bëra nga qeveria, synohet një siguri më e shtuar dhe një rrezik më i ulët nga terrorizmi;  

 

reduktim i informalitetit në ekonomi; reduktim i përdorimit të parasë fizike; siguri e shtuar financiare dhe bankare; reduktim i ndikimit të praktikave të pastrimit të parave dhe për pasojë reduktim i efekteve negative në jetën ekonomike dhe sociale të çdo qytetari. Në tërësinë e saj, Paketa ligjore Moneyval synon të përmbushë në një kohë të shpejtë mangësitë teknike të evidentuara dhe rekomandimet të cilat konsiderohen prioritare dhe të një rëndësie të veçantë. Më tej fokusi do të vijojë në një angazhim të shtuar ndër-institucional, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëri në rritje e efektivitetit në zbatimin e detyrimeve ligjore.

 

Moneyval

Moneyval është një strukturë e përhershme e njohur si Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave dhe Luftës kundër Financimit të Terrorizmit. Ky Komitet ka zhvilluar pesë raunde të monitorimit të vendeve anëtare dhe ka arritur në një sërë rekomandimesh që kanë për objektiva thelbësorë parandalimin e pastrimit të parave, që burojnë kryesisht nga aktiviteti kriminal, forcimin e luftës kundër financimit të terrorizimit, etj.

 

Në raportin e raundit të pestë të vlerësimit të Shqipërisë, të miratuar në korrik të vitit të kaluar nga Komiteti Moneyval, ndër të tjera është konkluduar: mbi nevojën për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit tonë me rekomandimet ndërkombëtare të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar. Me publikimin e Raportit të vlerësimit, Shqipërisë i është lënë një vit kohë për përmbushjen e rekomandimeve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në këtë Raport. Nga raporti rezulton se janë përmbushur plotësisht 28 Rekomandime, 10 rekomandime janë të përmbushura pjesërisht dhe një rekomandim është i papërmbushur – i pazbatueshëm në rastin e Shqipërisë.

 

Parandalimi

Në Shqipëri, në krahasim me vitet para 2013, rastet e referuara janë rritur mesatarisht me së paku 50%, ndërsa shumat e sekuestruara janë rritur afro me 40-fish. Nga 230 mijë euro që bllokoheshin dhe sekuestroheshin në 2013, gjatë gjithë këtyre viteve janë arritur të bllokohen mbi 9 milionë euro çdo vit. Mendohet se reforma në drejtësi do të sjellë përmirësime edhe në këtë aspekt.

 

Ligjet

Konkretisht, ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar synon forcimin e detyrimit për deklarimin e të dhënave të ortakëve në regjistrin tregtar, duke vendosur që aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, të bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ndryshimit. Moskryerja e detyrimit për regjistrimin e ndryshimit të ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik, brenda 30 ditëve nga data e ndryshimit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

 

Ndërsa me ligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, është vendosur detyrimi i tatimpaguesve persona fizik tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe persona juridikë për të disponuar llogari bankare të biznesit, me dënime administrative në rast të mospërmbushjes së detyrimit të të paturit një llogari bankare në masën 35.000-75.000 lekë. Me ligjin pasues vendoset që personat e ekspozuar politikisht pas lënies së detyrës bankat dhe subjekte të tjera të vijojnë të trajtojnë me kujdes të shtuar transaksionet me ta deri në 5 vite. Nga ana tjetër, përcaktohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, e cila në fushën e saj të veprimit do të ketë të gjitha pasuritë që sekuestrohen dhe konfiskohen, si në procesin penal ashtu edhe në atë parandalues. 

 

Në këtë formë, administrimi i të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme përqendrohet në një institucion të vetëm. Agjencisë i shtohet gjithashtu kompetenca për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera. Përdorimi i kësaj procedure do të bëjë që vlera e realizuar nga shitja e pasurive të ruhej në një llogari bankare të veçantë. Në rast revokimi të sekuestrimi,t kjo shumë do t’i kthehet pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi do të kalojë në buxhetin e shtetit. Në tërësinë e saj, Paketa ligjore Moneyval, e përbërë nga këto pesë projektligje, përmbush në një kohë të shpejtë mangësitë teknike të evidentuara dhe rekomandimet të cilat konsiderohen prioritare dhe të një rëndësie të veçantë./Shqiptarja.com


Më të lexuarat