Secondary Adv

Vonohet projekti i hekurudhes Tirane-Durres: Qeveria nuk ka gati shpronesimet

Share on Google+

Punimet për hekurudhën e Re Tiranë-Durrës-Rinas pritet të nisin këtë vit, por qeveria shqiptare nuk ka përparuar me shpronësimet dhe të dhënat rreth tyre mungojnë.

 

Ndërtimi hekurudhës është më rëndësi strategjike për vendin tonë pasi lehtëson qarkullimin në pjesën qendrore të vendit ku është e përqendruar rreth 60 për qind e popullsisë së vendit dhe bizneseve. KE vlerëson se, ndërtimi i projektit është gjerësisht në rrugën e duhur dhe realizimi i tij praktik pritet të fillojë në vitin 2019. Projekti do të dyfishojë shpejtësinë e transportit të mallrave dhe njerëzve nga Tirana në Durrës dhe Aeroport dhe në këtë mënyrë do të ulet edhe trafiku në rrugë. Megjithatë Komisioni Europian vë në dukje se, nuk ka informacion konkret për planin e blerjes së tokës dhe nuk janë planifikuar masa lehtësuese për të mbuluar shpronësimet.

 

Komisioni e vlerësoi sektorin e transportit në Shqipëri strategjik dhe të rëndësishëm për konkurrencën dhe rritjen ekonomike. Shqipëria renditet e 109-ta nga 140 vende për infrastrukturën e Transportit në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale për vitin 2018. Në veçanti transporti hekurudhor është joefikas. Rrjeti hekurudhor shqiptar operon nën nivelin aktual të kapacitetit, për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes. Infrastruktura detare është e pazhvilluar me kapacitete joefiskae. Cilësia e ulët einfrastrukturës së transportit është një pengesë për integrimin e Shqipërisë në rajon dhe zinxhirin e furnizimeve globale. Gjithashtu cilësia e dobët e saj e ndikimin e turizmit dhe tranzitimit të mallrave.

 

Punimet në hekurudhën Tiranë -Durrës ishin planifikuar të fillonin që në vitin 2017, por duket se planet janë shtyrë. Sipas raportit teknik, parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik. Gjithashtu parashikohet që të rritet edhe shpejtësia e udhëtimit nga 40 km/orë që është sot në 100 km/orë. Kostoja e këtij projekti llogaritet në rreth 81.5 milionë euro nga të cilat 44%, ose 35.4 milionë euro, do të akordohen nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare. 

 

Projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e segmentit ekzistues mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe me ndërtimin e ri të pjesës që do të lidhet me Rinasin. Ky segment ka një gjatësi prej 50 km, ndërsa kostoja llogaritet në rreth 50 milionë euro. Studimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë – Durrës – Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet. Gjithashtu, në raportin teknik të hartuar nga një sërë ekspertësh vendas dhe të huaj janë përcaktuar edhe seksionet ku duhet të ndërhyhet për rehabilitimin e plotë të hekurudhës shqiptare, për të cilën kërkohen 427,21 milionë euro./Monitor 


Më të lexuarat