Secondary Adv

TVSH me rendimentin me negativ: Financave u mungojne 30 mln euro ne janar-qershor

Të ardhurat e mbledhura nga tatimet, doganat, sigurimet shoqërore, në 6 muajt e parë ishin 225.5 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale nga Ministria e Financave.

 

Në raport me të njëtën periudhë të një viti më parë, këto të ardhura janë rritur me 3.9% (+8.4 miliardë lekë), të ndihmuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, taksat vendore, kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërsa TVSh është zëri me rendimentin më negativ në buxhet në gjysmën e parë të këtij viti. Në raport me planin, të ardhurat janë 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak, që mungojnë nga planifikimi fillestar i buxhetit. Pikërisht mosrealizimi i planit u citua nga kryeministri Rama si arsyeja kryesore për shkarkimin e drejtorit të tatimeve Enton Duro, që drejtori këtë institucion për tre muaj dhe zëvendësimin e tij me Delina Ibrahimin. 

 

Rama njoftoi dhe nisjen e një aksioni të rreptë antiinformalitet. “Prej thuajse një viti jemi përpjekur me qasjen sensibilizuese, informuese, këshilluese të biznesit në raport me detyrimet tatimore, duke minimizuar qasjen ndëshkimore. Tani boll me konkurencën e paligjshme dhe me hilerat në kurriz të konsumatorit!, ka pohuar kryeministri. TVSH që është taksa që sjell më shumë të ardhura për buxhetin, me 29% të totalit për janar-qershor ka shënuar një rënie me 3%, duke arritur në rreth 66 miliardë lekë. Në raport me planin mungojnë 6.3 miliardë lekë, duke pasur mosrealizimin më të lartë të planit.

 

TVSH është një tregues direkt i qarkullimit në ekonomi dhe mosmbledhja e të ardhurave nga ky zë tregon një tkurrje të konsumit. Financat kanë deklaruar më herët se arsyet e rënies së të ardhurave nga TVSH janë projektet e TAP e Devollit që po shkojnë drejt përfundimit dhe kanë ulur aktivitetin, uljen e eksporteve të energjisë dhe ndalimi i aktiviteteve të lojërave të fatit. Rënia e të ardhurave nga TVSh është kompensuar nga rritja e ndjeshme e zërit të Tatimit mbi të Ardhurat personale, të ardhurat nga i cili u rritën me 27% dhe ishin 2 miliardë lekë më shumë se plani. 

 

Kjo rritje lidhet me faktin që kompanitë e mëdha po shpërndarjën dividendet e prapambetura, pasi në bazë të ligjit të ri kanë të drejtë të shpërndajnë dividend e prapambetur deri në fund të shtatorit, në mënyrë që të përfitojnë nga ulja e tatimit nga 15 në 8%. Operatori i telefonisë celulare, telekom Albania njoftoi më parë se ai kishte shpërndarë fitimet dhe rezervat e periudhës 2001-2010 prej vitit 400 milionë euro si dividend. Vetëm nga kjo kompani shteti ka arkëtuar 32 milionë euro. Në rritje ishin dhe të ardhurat nga tatim fitimi, me 14%, ose 2 miliardë lekë më shumë sesa plani.

 

Pushteti vendor ka mbledhur 31% më shumë të ardhura si 6 mujor nga taksat lokale (kryesisht taksa e ndërtimit në infrastrukturë), ndërsa taksa mbi pronën ka ngecur sërish, pas rritjes së fortë në muajin mars. Të ardhurat nga fondet speciale (sigurimet shoqërore e shëndetësore) u rritën me rreth 6% me bazë vjetore për janar-qershor, ndërsa atojo tatimore ranë me 9.1%./Monitor 


Më të lexuarat