Secondary Adv

Miratohet kontrata PPP e rruges Milot-Balldren: 256 mln euro per 17 km

Share on Google+

Teksa ka miratuar ndalimin e PPP me oferta të pakërkuara për rrugët, Kuvendi ka nxituar miratimin e dy kontratave të tjera, pikërisht me ofertë të pakërkuar.

 

Kuvendi ka miratuar me shumicë të thjeshtë (78 vota pro, 28 kundër, 4 abstenime) projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”. Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, ose 15 milionë euro për kilometër, rishikimin në rritje të saj në raport me ofertën fillestare që ishte 161 milionë euro, rinegocimin pa garë të interesave. Për më tepër që kompania nuk kishte kapacitetet financiare që të ndërtonte një projekt të tillë.  

 

Ndërsa ANK premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Kuvendi miratoi dhe Projektligjin tjetër “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k. për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”” (78 vota pro, 28 kundër, 4 abstenime). 

 

Ky projekt parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total, kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milionë Euro. Më herët, ministrja e financave Anila Denaj, paraqiti para deputetëve në seancë plenare projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Ky projektligj heq propozimet e Pakërkuara në një sërë sektorësh. Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, sektori privat nuk do të mund të propozojë projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Këto projekte do të zhvillohen sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuar në ligjin 125/2013. Ky projektligj u miratua me 84 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim./Monitor

 

Kilkoni këtu për të shkarkuar raportin teknik:Raporti teknik Milot Balldren.pdf

 


Më të lexuarat