Secondary Adv

Ndarja e investimeve ne ekonomi: Afro 80 per qind konsistojne ne ndertime

Afro 80% e investimeve në ekonominë shqiptare konsistojnë në ndërtime, ndërsa pjesa e mbetur në makineri dhe pajisje. 

 

Banka e Shqipërisë ka bërë një përllogaritje të ndarjes së investimeve në ekonomi, mbështetur në të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vitit 2017. Nga zbërthimi i këtyre të dhënave, ka rezultuar se ndërtimet përbëjnë 77% të formimit të kapitalit fiks. Kjo periudhë është karakterizuar nga një ritëm i lartë investimesh në vepra madhore inxhinierike, si gazsjellësi TAP apo hidrocentralet në kaskadën e lumit Devoll. Këto kanë kompensuar një rënie të investimeve në ndërtesa rezidenciale dhe tregtare si edhe një nivel më të ulët të investimeve publike. Por, ndërkohë, pas vitit 2017, vërehet një rigjallërim i investimeve në ndërtesa, mbështetur në kjo në ecurinë e lejeve të ndërtimit. Rrjedhimisht, mund të supozohet se ndërtimi ka vazhduar të dominojë strukturën e investimeve në ekonomi edhe për vitet në vazhdim.

 

Në tremujorin e parë të këtij viti, investimet në ekonominë shqiptare u rritën me 1.8%, rritje kjo më e ngadaltë krahasuar me mesataren e vitit 2018. Ndërkohë, treguesit indirektë që përafrojnë ecurinë e investimeve në tremujorin e dytë japin sinjale të ndryshme. Komponenti publik i investimeve besohet të ketë dhënë një kontribut negativ, për shkak të ecurisë së dobët të shpenzimeve kapitale të qeverisë. Nga ana tjetër, shfrytëzimi më i lartë i kapaciteteve të lira, rritja e importit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve, si dhe gjallërimi i kërkesës konsumatore mendohet se kanë qenë faktorët nxitës të investimeve dhe do të jenë të tillë edhe për tremujorët në vazhdim. Rritja graduale e kredisë për investime nga biznesi është gjithashtu një tregues se ecuria e investimeve private në ekonomi po ndjek një tendencë pozitive./Scan


Më të lexuarat