Secondary Adv

Vijon forcimi i Lekut- BSH: Kursi do stabilizohet, fenomeni eshte sezonal

Mbiçmimi i lekut në këtë periudhë ka karakter sezonal dhe nuk pritet të vazhdojë më tej.  

 

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë analizon zhvillimet në tregun valutor, duke arritur në konkluzionin se nuk pritet të ketë luhatje të ngjashme me ato që ndodhën në mesin e vitit të kaluar. Banka Qendrore pret që tendenca e mbiçmimit vjetor të lekut të reduktohet gradualisht. Për periudhën maj-qershor, ky mbiçmim ishte 3.1%, ndërsa në fund të vitit 2018 kishte arritur nivelin maksimal prej 7.4%. Në vitet e fundit, evidentohet një mbiçmim sezonal më i hershëm i lekut në muajt e verës. 

 

Forcimi karakteristik i lekut është zhvendosur pjesërisht nga muaji korrik në muajt qershor, maj, e deri-diku edhe në prill, çka përkon edhe me një fillim më të hershëm të sezonit turistik. Banka e Shqipërisë gjykon se faktorët fondamentalë nuk mbështesin forcim të shpejtë e të mëtejshëm të kursit të lekut kundrejt euros, në ndryshim nga situata e vitit të shkuar. Pritshmëritë për një kurs më të stabilizuar mbështeten edhe në të dhënat që vijnë nga tregu valutor, që vlerësohet se po funksionon brenda parametrave normalë. Marzhet mes kursit në blerje dhe atij në shqitje janë në nivele të ulëta, ashtu si edhe luhatshmëria ditore e kursit. 

 

Këta tregues dëshmojnë se niveli i pasigurisë së agjentëve të tregut ka rënë dhe se nuk ka pozicionime apo pritshmëri të njëanshme të tyre në favor të mbiçmimit të lekut. Aktualisht, kursi i këmbimit të euros është pranë nivelit të 121 lekëve, rreth 5 lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një vit më parë, kursi i këmbimit qëndroi pothuajse i fiksuar, falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut. Ndërkohë, mbiçmimi i kësaj vere është brenda parametrave sezonalë, të shpjegueshëm me rritjen e ofertës së valutës për shkak të sezonit veror./Scan


Më të lexuarat