Secondary Adv

Eksportet e tekstileve ne renie: Shkak zhvleresimi i euros dhe mungesa e fuqise punetore

Eksportet e grupit të tekstileve shënuan sërish rënie gjatë muajit korrik. 

 

Të dhënat e publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme treguan se eksportet gjatë korrikut shënuan rënie prej 3% në krahasim me të njëjtin muaj një vit më parë, ndërsa për 7 muajt e parë të vitit tkurrja e eksporteve të tekstileve përllogaritet rreth 2%, nga 75.4 miliardë lekë në 73.9 miliardë të realizuara për periudhën janar-korrik 2019. Sipas Florian Zekja, kryetar i Unionit të Fasonistëve të Shqipërisë rënia e eksporteve lidhet me dy faktorë kryesorë. Së pari, Zekja liston zhvlerësimin e monedhës europiane. 

 

Pasiguria për kursin e këmbimit ka sjellë që fasonët të ngurrojnë që të lidhin kontrata të reja dhe po mundohen të shtrengojnë rripin duke mos investuat në teknologji dhe në vende të reja pune. Sipas Florian Zekja duhet pasur parasysh se për shkak të zhvlerësimit të eruso të ardhurat dhe fitimi i kompanive përllogaritet të kenë rënë me gati 10% që prej fillimit të vitit. Euro ka rënë nga rreth 138 lekë në mes të vitit 2016, në rreth 121 lekë aktualisht, pra 16 lekë më pak, me një nënçmim prej 11.5%, që automatikisht ka ulur po me kaq të ardhurat e eksportuesve. 

 

Humbjet e eksportuesve në sektorin e fasonit llogariten nga 500-600 euro në vit për person të punësuar. Kompanitë e fasonit i kanë të ardhurat në euro dhe shpenzimet në gati 90% i kanë lekë. Për pasojë, nënçmimi i euros po i çon disa nga kompanitë më të mëdha të sektorit në kolaps. Së dyti, Zekja liston edhe problematikën që lidhet me mungesën e fuqisë së kualifikuar të punës. Kjo sjell edhe mosrealizimin 100% të kontratave të nënshkruara një vit më parë. Rënia e numrit të të rinjve, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit dhe lindjeve gjithnjë e më të pakta në dy dekadat e fundit po shteron fuqinë punëtore për fabrikat e fasonit. 

 

Bizneset e sektorit në të gjithë vendin, nga Shkodra në Gjirokastër, kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi, por, nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë. Eksportuesit e mëdhenj në sektor janë pesimistë për ecurinë e tij, ndonëse sipas tyre kërkesa për punë ka qenë në rritje të vazhdueshme nga kontraktorët e huaj, bizneset e fasonit nuk kanë më mundësi për të përballuar flukset e reja të punës dhe madje, janë në vështirësi edhe për të përmbushur kontratat aktuale. Ndër të tjera vonesat në rimbursimin e TVSH-së, por dhe kriza politike duket se kanë përkeqësuar situatën./Monitor


Më të lexuarat