Secondary Adv

Kontrolli i Rrjetit Rrugor Kombetar: 41 per qind e akseve ne gjendje shume te keqe

Mbi 558 kilometra ose 41 për qind e rrugëve kombëtare në vend janë në gjendje shumë të keqe. 

 

Rezultatet u zbuluan vitin e kaluar gjatë një inspektimi të rrjetit kombëtar rrugor që u mbikëqyr nga Banka Botërore. Në kontroll u përfshinë 1 mijë e 347 kilometra rrugë kombëtare, prej të cilave rezultuan në gjendje të keqe 558 kilometra dhe 789 kilometra në gjendje të mirë në përputhje me standardet europiane, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Më i dëmtuar paraqitet, aksi Elbasan -Skurraj –Peshkopi me gjatësi 117 kilometra. Të gjitha segmentet e kësaj rruge që lidh disa qytete të veriut është në gjendje shumë të keqe. 

 

Në të njëjtën gjendje është edhe aksi tjetër Elbasan-Cërrik-Gramsh me gjatësi 41 kilometër që është tërësisht në gjendje të mjerueshme. E dëmtuar në gati 95 për qind të shtrirjes së saj është edhe rruga Pusi i Mezinit -Sarande me gjatësi 121 kilometër, pjesë e aksit kombëtar. Në të njëjtën gjendje është edhe rruga e vjetër Shkodër –Kukës me gjatësi 138 kilometra e cila është thuajse totalisht e dëmtuar. Në gjendje të mirë paraqitet rruga Tiranë–Shkodër-Hani i Hotit, rruga Lushnje-Berat, Durrës–Fier, Elbasan Tiranë, Tiranë-Kukës. 

 

Vitin e kaluar, ARRSH inventarizoi rrjetin kombëtar të rrugëve në vend dhe gjithashtu inspektoi cilësinë e tyre nën një projekt të BB që ka mbështetur me një hua mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar në vend nëpërmjet tre kontratave që menaxhohen nga privatët. Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtare. Përsa i përket infrastrukturës rrugore, këto 10 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë investime shumë të rëndësishme për ndërtimin segmenteve kryesore të Rrjetit Rrugor Kombëtar Shqiptar. Plani Kombëtar i Transportit parashikon përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Autostrada Veri-Jug./Monitor


Më të lexuarat