Secondary Adv

Kanali i madh nga Teuta tek Ura e Dajlanit do te mbulohet nga Bashkia Durres


Bashkia e Durrësit ka planifikuar t’i japë fund ndotjes së shkaktuar nga kanali i madh që përshkon një pjesë të plazhit tej e tej. Bëhet fjalë për kanalin nga stacioni Teuta deri tek Ura e Dajlanit pasi pjesa tjetër do të kërkojë një investim shumë më të madh për një sërë arsyesh.

 

 

Janë bërë gati 60 milion lekë, aq sa është parashikuar nga specialistët për të mbuluar përfundimisht këtë kanal të madh. Zona në fjalë do të shpëtojë njëherësh si nga era e rëndë, edhe nga përmbytjet që shkaktoheshin për shkak të bllokimit të herë pas hershëm. Kanali është rreth 3.2 km i gjatë, por vetëm 1.5 km do të bëhet objekt i tenderimit ngase pjesa tjetër do të ketë një proces shumë më të gjatë deri në zgjidhjen përfundimtare për investim të prishëm.

 

 

Kanali në fjalë vit pas viti ka shkaktuar përmbytje masive në zonën e Plazhit dhe kjo ngase asnjëherë nuk është pastruar. Për të parën herë banorët shpëtuan nga vërshimi ujit të kanalit brenda në shtëpi e biznese vetëm falë ndërhyrjes së bordit të kullimit në vitin 2014.

 

Kanali i ujrave të zeza në Durrës

 

Bordi pastroi të gjithë kanalin nga Teuta deri tek Ura e Dajlanit, ndërkohë që në pikën fundore iu desh të përqendrojë edhe shumë forca për ta zhbllokuar. Drejtori bordit të kullimit Ali Karaj vetëm në harkun kohor të një viti ka mundur të afrojë zgjidhje afatgjatë për shumë banesa, biznese e sipërfaqe tokë të cilat përmbyteshin nga uji sa herë që binin reshje të mëdha shiu. Janë pastruar të gjitha kanalet problematik në drejtim të kullimit dhe që kanë qenë bërë shkaktarë të përmbytjeve masive. Edhe nyja tek Ura e Dajlanit është liruar plotësisht duke i dhënë zgjidhje përfundimtare zonën në fjalë. Karaj pati deklaruar në pikun e reshjeve dimërore se Durrësi nuk ka arsye të përmbytet dhe deklarimet e tij u bënë mbështetur në punën e bërë nga bordi në pastrimin e kanaleve.

 

Mbulimi segmentit të kanalit nga Teuta deri tek Ura e Dajlanit sjell jo pak efekte pozitive edhe për sezonin e verës. Kanali është mes për mes zonës së banuar dhe në verë banesat e qytetarëve mbushen plot me pushues. Tani që kanali mbulohet vet banorët, por edhe turistët nuk do të shqetësohen më as nga mbeturinat e shumta në kanal dhe as nga era e rëndë. Pjesa tjetër e kanalit që shkon tek stacioni Hekurudha është lënë për një fazë tjetër ngase gjatë gjatësisë së tij janë bërë ndërtime të shumta të cilat kanë bllokuar kullimin. Para së gjithash aty do të kërkohet prishja e këtyre ndërtimeve dhe më pas pastrimi e mbulimi. ALUIZNI në Durrës nuk ka marrë në konsideratë asnjë aplikim të pronarëve të cilët kanë ndërtuar në buzë të kanalit, apo edhe mbi kanal.


Më të lexuarat