Secondary Adv

Vlera e projekteve PPP perllogaritet 2 miliarde euro: Rrezikohet rritja e taksave

Në 15 vitet e ardhshme, qeveria është angazhuar në projekte PPP, për të cilat do të duhet të paguajë në total 2 miliardë euro, që do vijnë nga paratë e taksapaguesve.

 

Pagesat do të dyfishohen në 4 vitet e ardhshme, duke kulmuar në 2022, për të rënë më pas lehtë në vitet në vijim. Kjo do të përqendrojë burimet vetëm në pak projekte, duke kufizuar kryerjen e shpenzimeve të tjera kapitale. A rrezikojnë financat të tejkalojnë kufirin vjetor të pagesave, që do t’i detyronte të korrektonin të ardhurat, duke shkaktuar rritjen e taksave?! Për kompanitë koncesionare, biznesi me shtetin po rezulton i kënaqshëm, me norma fitimi që arrijnë në rreth 20%, por buxheti po shpenzon shumë për projekte pa produktivitet të lartë. 

 

Fatura që qeveria shqiptare është angazhuar të paguajë nga buxheti për projektet koncesionare të formës PPP për periudhën 2019-2032 parashikohet të arrijë në 250 miliardë lekë, ose gati 2 miliardë euro, sipas tabelave të publikuara nga Ministria e Financave. 77% e kësaj shume është tashmë e kontraktuar, teksa ka mbetur pezull vetëm koncesioni “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Thumanë-Vorë”, me vlerë 56.4 miliardë lekë, por gjithsesi për të është dhënë miratimi nga Ministria e Financave për mbështetje buxhetore. Nga 12.6 miliardë lekë që pritet të jenë pagesat nga buxheti për faturat e koncesioneve për këtë vit, ato do të kulmojnë në 2024-n, me 23.1 miliardë lekë, për të rënë më pas lehtë në vitet e ardhshme, duke zbritur në 2032 në 11.7 miliardë lekë. 

 

Pas këtij viti, i vetmi koncesion që do të vazhdojë të paguhet nga buxheti është ai i inceneratorit të Tiranës, me 1.5 miliardë lekë në vit deri në 2041. Në total, numri i kontratave koncesionare të miratuara, ose që kanë fituar mbështetjen buxhetore është 14. Rreth 60% të shumës së angazhuar e zënë kontratat për 4 rrugë, Thumanë – Vorë, Orikum – Dukat, Milot – Balldren dhe Rruga e Arbrit. Komisioni Europian, në raportin e tij të fundit për vlerësimin e programit ekonomik të vendit, ka shprehur shqetësimin se kjo rritje e PPP-ve nuk po shoqërohet me shtim të stafit, që do të ishte në gjendje të monitoronte dhe të vlerësonte këto kontrata dhe projekte komplekse. 

 

Shqetësimet për PPP-të shihen në tre këndvështrime:

-Së pari, projektet PPP nuk raportohen si borxh, por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korrente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Nëse detyrimet potenciale prej 2 miliardë eurosh do të llogariteshin si borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm qeveritar do të rritej menjëherë me 15 pikë përqindje, duke e çuar atë në 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 68% që është aktualisht.   

 

-Së dyti, nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave. 

 

-Së treti, ka munguar një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë e rriten pa kontroll (si te Milot-Balldren), apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi).

 

A do të ruhet kufiri vjetor i pagesave

Ministria e Financave, në tabelat e saj, parashikon që në asnjë vit të mos cenohet respektimi i rregullit fiskal, në bazë të të cilit, pagesat për koncesionet nuk duhet të kalojnë 5% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm. Viti, kur kjo pagesë parashikohet t’i afrohet më shumë këtij kufiri është në 2022, me 4.3%. or, llogaritjet janë bërë në bazë të planit të të ardhurave. Përvoja e gjithë këtyre viteve ka treguar se planifikimi i para tre viteve ka qenë gjithnjë optimist, ndërsa të ardhurat faktike kanë qenë gjithnjë më pak se plani dhe zgjerimi real i tyre ka qenë edhe negativ, nëse marrim në konsideratë rritjen ekonomike dhe inflacionin.

 

Kjo situatë ka bërë që financat gjithnjë të rishikojnë në ulje pritshmëritë. Nëse shohim kuadrin afatmesëm të vitit 2016-2018, të miratuar në janar 2015, të ardhurat tatimore në 2018-n duhet të ishin 476 miliardë lekë, por në fakt ato rezultuan në 419 miliardë lekë, ose 12% më të ulëta. Në kuadrin makro, 2017-2019, të miratuar në shkurt 2016, plani për të ardhurat tatimore në vitin 2019 ishte rreth 470 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin 2019, pritet që kjo shifër të mos jetë më shumë se 447 miliardë lekë, ose rreth 5% më pak (duke supozuar se plani do të realizohet i plotë, ndërkohë që në 6 muajt e parë të vitit ka një nivel faktik 2% më të ulët).

 

Nëse të ardhurat faktike do të vijojnë të jenë më të ulëta se plani, atëherë kufiri prej 5% mund të arrihet brenda 3-4 viteve të ardhshme. Edhe FMN ka paralajmëruar në raportin e saj të fundit se “pagesat e parashikuara të buxhetit vjetor për PPP-të (të financuara nga qeveria) po i afrohen tashmë kufirit të ligjshëm që arrin në 5% të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar”. Ligji i miratuar në 2016 parashikon se, në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore. 

 

Termi teknik korrektim në krahun e të ardhurave do të thotë rritje të taksave deri kur këto të jenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e programuara të PPP-ve. FMN parashikon dhe përkeqësim të rendimentit fiskal në vitet në vijim. Teksa ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 4% në periudhën afatmesme, të ardhurat tatimore nuk do të mund të ndjekin rritjen, përkundrazi raporti i tyre me Prodhimin e Brendshëm Bruto do të vijë me ulje. Në vitin 2024, të ardhurat buxhetore në përqindje të PBB-së do të arrijnë në 26.9 nga 27.6% që ishin në fund të vitit 2018.

 

Financave u kufizohet mundësia për investime të tjera kapitale

Angazhimi me pagesat për koncesionet në 10 vitet e ardhshme i jep pak mundësi qeverisë që të përqendrohet në projekte të mëdha zhvillimi në afatin e mesëm e të gjatë. Mesatarisht, shpenzimet kapitale çdo vit, janë luhatur në rreth 60-70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Në vitin 2024, pagesat për 14 koncesione do të arrijnë rreth 23 miliardë lekë, një shumë që është mesatarisht sa një e treta e asaj që investohet sot në total për rrugë, shkolla, spitale etj. Teksa qeveria është angazhuar për të pasur minimalisht një suficit primar si mënyra e vetme për të ulur borxhin, financat do të jenë të detyruara që përballë pagesave fikse për koncesionet, të heqin dorë nga investime të tjera potenciale për të ruajtur parametrat e buxhetit. 

 

Në kahun tjetër mungon një analizë se sa këto projekte do të rrisin produktivitetin e ekonomisë, apo do të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët e saj. Ashtu si ecuria e deritanishme e koncesioneve në shëndetësi (për të cilat do të shpenzohen rreth 300 milionë euro në një dekadë) po rezulton pa efekt në treguesit e shëndetit. Të dhënat e Eurostat treguan se Shqipëria është i vetmi vend që ka shënuar rritje të ndjeshme të vdekshmërisë foshnjore në dekadën e fundit, ndërsa INSTAT raporton se numri i të shtruarve në spitale u rrit në 2018-n. Niveli i vdekshmërisë nga tumoret u rrit në 2018-n, me 1,4 % krahasuar me vitin 2017, në një nivel prej 128,9 për 100 mijë banorë./Monitor


Më të lexuarat