Secondary Adv

Qeveria vendos grup special per verifikimin e pronave ne bregdet

 

Brenda tre muajsh, sipërfaqet shtetërore e private brenda zonës bregdetare, në territorin e bashkive Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol do t’i nënshtrohen verifikimit nga një strukturë e posaçme ndërministrore.


Pas Task-Forcës së ngritur në Korrik të vitit të kaluar, Edi Rama ka urdhëruar tashmë ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, për verifikim dhe kontrollin e sipërfaqes shtetërore dhe private në të gjithë zonën bregdetare që përfshihet në territorin e Bashkive Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol. Urdhri i Ramës është firmosur vetëm pak ditë më parë, ekzaktësisht më datë 24 shkurt, ndërsa është mësuar ditën e djeshme me botimin në Fletoren Zyrtare.


Sipas këtij urdhri, grupi ndërinstitucional i punës do të kryesohet:
Nga zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe do të ketë në përbërje anëtarë: 3 përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; 3 përfaqësues nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyra përkatëse vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme; 1 përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit; 1 përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit; 1 përfaqësues nga Task – Forca për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrës së tjetërsimit të pronave të paluajtshme shtetërore; 3 përfaqësues nga ALUIZNI, qendror dhe vendor; 1 përfaqësues nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave; 1 përfaqësues nga Prefektura Vlorë; 1 përfaqësues nga Bashkia Vlorë; 1 përfaqësues nga Bashkia Himarë; 1 përfaqësues nga Bashkia Sarandë; 1 përfaqësues nga Bashkia Konispol.


Titullarët e institucioneve që me përfaqësuesit e tyre përbëjnë dhe grupin ndërinstitucional, urdhërohen të dërgojnë, brenda 5 ditëve, emrat e personave përfaqësues pranë kryetarit të grupit të punës.


Detyrat e grupit ndërinstitucional
Grupi ndërinstitucional i punës ka detyrë kryesore të verifikojë sipërfaqet shtetërore e private brenda zonës bregdetare, të cilat përfshihen në territorin e bashkive Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol. Ky grup do të duhet gjithashtu të identifikojë zonat informale dhe kërkesat për legalizim brenda këtyre sipërfaqeve. Grupi ndërinstitucional i punës, për përmbushjen e detyrave të ngarkuara, duhet të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin ekzistues dhe atë që do t’u vihet në dispozicion nga institucionet përgjegjëse, të kryejnë vizitat në terren dhe të bashkërendojnë punën me të gjitha institucionet shtetërore që lidhen me këtë veprimtari.


Grupi ndërinstitucional i punës, brenda 3 muajve duhet të përfundojë detyrën e ngarkuar dhe t’i paraqesë Kryeministrit materialin e përgatitur sipas. Kryetari i grupit ndërinstitucional të punës do të njoftojë anëtarët për mbledhjen e parë të këtij grupi, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të koordinojë punën mes institucioneve për zbatimin e këtij urdhri.


Task-Forca
Task Forca për verifikimin, kontrollin e dokumentacionit dhe hetimin e mënyrës së tjetërsimit dhe përvetësimit të pronave shtetërore u ngrit në korrik të 2014 me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Kryeministri urdhëroi ngritjen e grupit të Task Forcës për verifikimin e imtësishëm për tjetërsimin e pronave shtetërore, përmes kalimit në pronësi private në qarkun e Vlorës, nga kupola e pushtetit të rrëzuar me një milion vota më 23-Qershor. Grupi i punës, i cili ka në përbërje nëntë anëtarë kryesohet nga Alket Hyseni. Puna e kësaj Task Force konsiston në verifikimin e falsifikimit të dokumentave, skemave korruptive, keqpërdorimit të AKKP, ALUIZNI-t, hipotekave dhe gjykatave.


Më të lexuarat