Secondary Adv

Shqiperia do te perfitoje 300 milione meter kub gaz ne vit nga TAP


Shqipëria do të përfitojë rreth 300 milionë metër kub gaz në vit nga gazsjellësit Trans-Adriatik. 2/3 e kësaj sasie do të përdoret për vënien në punë të Termocentralit të Vlorës, me një sasi gjenerimi të instaluar prej 97 megavatorë.


Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, është shprehur se, janë bërë të gjitha ndryshimet e duhura ligjore për të mundësuar transportin dhe tregtimin e gazit si një burim alternativ energjie në Shqipëri.
Ne kemi përgatitur të gjithë kuadrin ligjor që Shqipëria të jetë një vend importues dhe eksportues i gazit natyror. Jemi duke përgatitur ligjin për tregtimin e gazit në vend, si edhe po rishikojmë mundësinë e ngritjes së kapaciteteve të depozitimit në vend deri në 2 miliard metër kub. Në fazën e parë të zbatimit të gazsjellësit Trans-Adriatik, Shqipëria do të përfitojë 300 milionë metër kub gaz në vit, ku 200 milionë do të përdoren për prodhimin e energjisë elektrike në TEC-in e Vlorës.
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë azere “SOCAR” që është edhe pjesë e konsorciumit TAP, u shpreh se, strategjia e zhvillimit të infrastrukturës së gazit, parashikon edhe ndërtimin e gazsjellësit Joniano-Adriatik.


Ne parashikojmë që sasia e transportit të gazit nga Azerbajxhani drejt Europës të arrijë në 15 miliardë metër kub brenda vitit 2038. Ndaj është shumë i rëndësishëm projekti i gazsjellësit Joniano-Adriatik. Sipas parashikimeve tona, kapacitetet fillestare transportuese të veprës do të jenë 1 milionë metër kub gaz në vit, ku 500 mijë metër kub do të përfitohen nga Bosnja, 300 mijë metër kub nga Mali i Zi dhe pjesa tjetër nga Kroacia.
Gazsjellësi Trans-Adriatik pritet të përfundojë brenda vitit 2020 dhe është investimi më i madh i huaj në vendin tonë. Kapacitetet fillestare të transportit të gazit janë parashikuar në 10 miliardë metër kub në vit me mundësi dyfishimi të kësaj sasie./SCAN-RTV


Më të lexuarat