Secondary Adv

9,8 milione euro per 70 ujesjelles te rinj per komunat


Brenda 5 viteve do të ndërtohen 70 ujësjellës në të gjithë territorin e vendit, kryesisht në zonat rurale, prej të cilëve do të përfitojnë furnizimin me ujë për 24 orë rreth 75 mijë banorë. Kjo sipas një programi investimi prej 9.8 milionë euro, nga skema e të cilit do të përfitojnë kryesisht ato njësi vendore që do të bashkëfinancojnë.


Në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, tregoi detajet e këtij projekti. “Ky investim vjen si një paketë më e plotë investimi për financimin e zonave rurale në të gjithë Shqipërinë. Paketa e investimit përbehet nga disa donatorë kryesorë.
E gjithë paketa e financimit parashikon të furnizojë me ujë në 24 orë për 70 skema ujësjellësish, çka nënkupton një skemë ujësjellësi një ose disa komuna a bashki. Në total ne parashikojmë të furnizojmë me ujë për 24 orë rreth 75 mijë banorë”, tha Beci.


Sipas tij, ky projekt do të realizohet për 5 vjet. “Në thelb të programit, i cili nënkupton që ne të ndërhyjmë me sisteme të qëndrueshme të furnizimit me ujë, pra me sisteme, të cilat nuk do të kenë nevojë të subvencionohen nga shteti ose nga qeveria. Kjo nënkupton se ato do të kenë një kosto të ulët të realizimit dhe për këtë arsye janë përzgjedhur ose do të përzgjidhen projekte që janë në rënie të lirë kryesisht”, u shpreh Beci.
Ai nënvizoi se i gjithë projekti do të shoqërohet me masa trajnuese, ose me rritjen e kapaciteteve të menaxhimit dhe të mirëmbajtjes, një problem, i cili është evidentuar gjatë gjithë këtyre viteve.


“Përzgjedhja do të fillojë në bazë të aplikimeve që do të bëhen me kërkesave nga pushteti vendor, të cilat janë parashikuar nëpërmjet disa kërkesave, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me numrin e banorëve apo me zonat e varfra ku do të realizohet investimi dhe me aftësinë e bashkëfinancimit nga njësitë. Pjesa e realizimit të investimit parashikohet të jetë deri në 2 vjet, ndërsa pjesa e parë e fazës parapërgatitore do të shkojë deri në 1 vit”, tha Beci.


Më të lexuarat