Secondary Adv

270 milione euro per menaxhimin e financave publike dhe sigurine rrugore



270 milionë euro është shuma totale e dy projekteve përmes të cilave Banka Botërore do të mbështesë Shqipërinë. Bëhet fjalë për forcimin e menaxhimit të financave publike (200 milionë euro) dhe për projektin e dytë prej rreth 69 milionë eurosh që mbështet përmirësimin e mirëmbajtjes dhe të sigurisë rrugore.


Mbështetja financiare që Banka Botërore do t’i japë Shqipërisë në këto projekte u aprovua mbrëmë nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore në Washington.


Cfare synojne dy projektet
Garancia e bazuar në Politikat për Financat Publike, në mbështetje të një huaje komerciale, është e dyta në serinë e projekteve që financojnë politika programatike të zhvillimit. Ky projekt mbështet forcimin e menaxhimit të financave publike për të trajtuar çështje të detyrimeve financiare dhe taksave, reformave në fushën e pensioneve dhe energjisë me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale. Projekti mbështet gjithashtu, shlyerjen e detyrimeve dhe parandalimin e detyrimeve në të ardhmen, forcimin e proceseve të përgatitjes dhe ekzekutimit të buxhetit, rritjen e të ardhurave, reformimin e sistemit të pensioneve dhe pakësimin e rreziqeve fiskale që rrjedhin nga sektori energjetik. Aprovimi i këtij projekti ndjek ndërmarrjen e një sërë veprimesh paraprake në këta sektorë, përfshirë menaxhimin e financave publike, reformat në pensione dhe sektorin energjetik.


Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore
Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore synon të ruajë e mirëmbajë kushtet, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe efiçent të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre. Mirëmbajtja e rrjetit të rrugëve kombëtare ka qenë vazhdimisht e keqfinancuar duke dëmtuar kështu qëndrueshmërinë e sektorit të transportit. Siguria në rrugë mbetet një problem madhor social dhe për shëndetin publik në Shqipëri me një numër mjaft të lartë viktimash për vit krahasuar me vendet e rajonit. Projekti gjithashtu, do të ndihmojë qeverinë në kryerjen e reformave për menaxhimin e investimeve publike në mënyrë që investimet të jenë të mbështetura nga pikëpamja fiskale dhe në përputhje me planin e buxhetit afatmesëm.


“Projekti do të përmirësojë sigurinë në rreth 1334 km të rrugëve kombëtare me vëllim të lartë qarkullimi të Shqipërisë. Nga ky projekt pritet të përfitojnë përdoruesit e rrugëve në të gjithë Shqipërinë si rezultat i përmirësimeve në mirëmbajtjen e rrugëve, pakësimit të kohës dhe kostos së udhëtimit si dhe uljes së kostove ekonomike dhe sociale që lidhen me aksidentet rrugore”, tha Artan Guxho, Inxhinier i Lartë i Infrastrukturës në Bankën Botërore dhe Drejtues i Projektit.


Rezultatet e Projektit do të maten përmes objektivave të paracaktuara sipas performancës periodike dhe rutinë të mirëmbajtjes, përmirësimit të sigurisë rrugore, vlerësimit me yje të rrjetit rrugor kombëtar dhe përgatitjes së planeve shumëvjecare të mirëmbajtjes si pjesë e sistemit të menaxhimit të aseteve rrugore. Kosto totale e projektit është 128.47 milionë euro, me një bashkëfinancim prej 62.57 milionë eurosh nga Qeveria e Shqipërisë.
Qëkurse Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në 1991, vendi ka përfituar 86 projekte me një vlerë totale prej 2.4 miliardë dollarësh amerikanë, në formën e granteve dhe kredive të IDA-s, si dhe huave të IBRD-së.


Më të lexuarat