Secondary Adv

Ish-ndermarrjet bujqesore, ja si do u jepen tapite fermereve

Qeveria bën me tokë të gjithë përdoruesit faktikë të sipërfaqeve të tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore, me kusht që sipërfaqja të mos jetë zënë nga objektet informale që janë në legalizim. Pra, e drejta për legalizim është më e rëndësishme se pronësia që jepet me një ligj të mëparshëm.


Me një vendim të miratuar dje përcaktohen procedurat që do të ndiqen për kalimin në pronësi të kësaj kategorie të tokës shtetërore. Sipas vendimit, përdoruesit e tokës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me akt të marrjes në përdorim të tokës (AMTP), brenda 45 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, paraqesin, në njësinë e qeverisjes vendore kërkesën për pajisjen me AMTP për tokën që e kanë marrë në përdorim nga komisionet e ndarjes së tokës.


Ata dorëzojnë plan-vendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar. Gjithashtu, kërkohet certifikata familjare, e lëshuar nga zyra e gjendjes civile e njësisë së qeverisjes vendore, ku të pasqyrohet numri i anëtarëve të familjes përfituese ose individi, në favor të të cilit do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992, të cilët nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre që prej kësaj date. Vendimi përcakton si kërkesë edhe dokumentacionin që vërteton se janë përfitues, si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.


Verifikimi
Njësia e qeverisjes vendore, në bazë të dokumentacionit që disponon, kontrollon nëse për ngastrat e tokës bujqësore, për të cilat është paraqitur kërkesë, është lëshuar më parë AMTP për përfitues të tjerë, individë apo familje bujqësore. Në rastet kur vërtetohet ky fakt, refuzohet kërkesa me shkrim. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore u kthen përgjigje për refuzim të kërkesës kërkuesve, të cilët nuk plotësojnë kushtet e ligjit. Po ashtu, refuzohet pranimi i kërkesës, në çdo rast, kur është vënë në dijeni zyrtarisht, nga gjykata, se për ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në kërkesë, ka një konflikt gjyqësor.
Njësia e qeverisjes vendore, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, evidenton në hartat kadastrale ngastrat e tokës në përdorim faktik, sipas kërkesave të paraqitura, vetëm për përdoruesit që plotësojnë kushtin e subjektit përfitues.


Kryesia e secilit fshat të njësisë së qeverisjes vendore, pas afishimit të listës së përdoruesve, verifikon, në prani të përfaqësuesve madhorë të çdo familjeje bujqësore, dhe bën saktësimet e nevojshme, mbështetur në dokumentacionin e paraqitur. Në përfundim të afatit 15-ditor, kryesia e fshatit, në një mbledhje me të gjithë përdoruesit faktikë të tokës bujqësore, komunikon rezultatet e verifikimeve të kryera, duke evidentuar edhe vërejtjet e pretendimet e paraqitura. Më pas, kryesia e secilit fshat, pas kryerjes së procedurave, ia rikthen, brenda dy ditësh, njësisë së qeverisjes vendore hartën kadastrale dhe listën përmbledhëse, duke e shoqëruar me të gjitha vërejtjet, mendimet e sugjerimet që kryesia e fshatit ka për secilin nga përdoruesit faktikë të tokës bujqësore si dhe me vërejtjet që janë paraqitur gjatë periudhës së afishimit publik.


Dokumentacioni i kthehet administratës së njësisë së qeverisjes vendore me shkrim, i nënshkruar nga të gjithë anëtarët e kryesisë së fshatit, pjesëmarrës në mbledhje, dhe i vulosur me vulën e kryeplakut. Çdo nënshkrues shkruan me dorën e vet emrin, atësinë dhe mbiemrin. Njësia e qeverisjes vendore, duke u konsultuar me të gjitha vërejtjet, kërkesat, mendimet e sugjerimet që ka paraqitur kryesia e fshatit apo individët e interesuar, për secilin nga përdoruesit faktikë të tokës bujqësore, brenda 100 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatit relacionin përfundimtar për përdoruesit e tokës bujqësore, të shoqëruar me materialin hartografik, ku janë pasqyruar përdoruesit faktikë të tokës bujqësore, vendndodhja e saj, sipërfaqja dhe kufitarët për çdo ngastër.


Kur mund te refuzohet pronesia
Njësia e qeverisjes vendore ua dërgon materialin hartografik dhe relacionin përmbledhës: Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të përcaktojë gjendjen aktuale të pronësisë për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik; Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t përcaktimin, në materialin hartografik, të sipërfaqeve të parcelave që janë miratuar ose janë në proces miratimi për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje, si dhe ato që janë përjashtuar nga legalizimi; Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të përcaktojë, për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik, nëse janë apo jo objekt kërkese, e cila po shqyrtohet prej saj, por nuk është dhënë ende vendim.


Një kontroll tjetër ushtrohet pranë këshillit të qarkut, për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik, nëse janë: në fondin e kompensimit fizik dhe janë vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave; Kontrolli i Drejtorisë së Urbanistikës, pranë këshillit të qarkut, duhet të përcaktojë, për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik, nëse gjenden ose jo brenda: vijës kufizuese të ndërtimit të fshatit apo qytetit; vijës kufizuese të zonës së zhvillimit me përparësi turizmin; sipërfaqeve të tokës bujqësore që, me vendim të Këshillit të Ministrave apo me vendime të KRRTSH/KKT-së janë kthyer në troje. Ndërsa, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Ministria e Bujqësisë përcaktojnë, për të gjitha ngastrat e tokës bujqësore, të paraqitura në materialin hartografik, nëse janë dhënë me qira.


Vendimet
Vendimi i këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, pasi ndjek procedurat ligjore për miratim nga prefekti i qarkut, afishohet menjëherë në vende publike të njësisë së qeverisjes vendore dhe u përcillet, zyrtarisht, institucioneve që merren me drejtimin dhe kontrollin e procesit të verifikimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, si:


a) Komisionit Qeveritar të Tokës dhe sekretariatit teknik pranë tij;
b) Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, pranë prefektit të qarkut; c) DAMT-it, pranë këshillit të qarkut; ç) Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, brenda 7 ditëve pas realizimit të procedurave ligjore për miratimin e vendimit të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore nga prefekti i qarkut, formon dosjen e secilit përfitues. Ai plotëson AMTP-të për subjektet përfituese, të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Njësisë së Qeverisjes Vendore, i cili është konfirmuar si në përputhje me ligjin nga prefekti i qarkut. AMTP-ja plotësohet në 4 kopje origjinale, për çdo ngastër të dhënë në pronësi. Në këtë dokument shkruhen të gjithë bashkëpronarët dhe pjesa e tyre e bashkëpronësisë./Gazeta Shqip


Më të lexuarat