Secondary Adv

Qeveria miraton rikonstruksionin e Fototekes Marubi

 

Qeveria shqiptare do të kontribuojë me 55 milionë lekë për rikonstruktimin e Muzeut “Marubi” në Shkodër. Vendimi për bashkëfinancimin e projektit “Rikonstruksioni i muzeut Marubi”, është miratuar ditën e mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.


“Bashkëfinancimi, në vlerën e përgjithshme 55 000 000 (pesëdhjetë e pesë milionë) lekë, për realizimin e zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i muzeut “Marubi”, si pjesë e projektit HERA – menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore në zonën e Adriatikut, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet komponentit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar, dhe nga Fondi Shqiptaro-Amerikan”.

 


Më herët kryeministri Edi Rama kishte premtuar se, “më në fund, thesari i ‘Marubit’ do të dalë nga burgu i harresës dhe lagështirës”. Më datë 15 prill, në Shkodër u firmos memorandumi i mirëkuptimit për restaurimin e Muzeut “Marubi”, duke i hapur rrugën financimit të projektit dhe nisjes së punimeve.
Restaurimi dhe Muzealizimi i Fototekës Kombëtare “Marubi” synon futjen e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të rajonit të Adriatikut.

 


Në vendim thuhet se Fondit Shqiptar të Zhvillimit i shtohet vlera e bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare, e shtrirë në vite, ku për vitin 2015, i shtohet fondi prej 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë lekësh, i ndarë sipas zërave. Për vitin 2016, i shtohet fondi prej 41 000 000 (dyzet e një milionë) lekësh, i ndarë sipas zërave.

 


Një pjesë e efektit financiar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit i vitit 2015 dhe pjesa tjetër parashikohet të planifikohen në planin e buxhetit për vitin 2016. Janë ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.


Më të lexuarat