Secondary Adv

Ndryshim ne rregullat e prokurimit publik, vertetime firmave per punet e vonuara

 

Tenderët janë pika ku lëvrojnë fondet publike, prandaj janë të shpeshta ndryshimet si pasojë e presionit të interesave. Kështu qeveria ka bërë një shtesë në vendimin e saj “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, duke u tërhequr praktikisht nga kushti që përjashtonte nga tenderët kompanitë që nuk kanë kryer në afat punimet sipas kontratave të mëparshme me entet publike.


Në tekstin e rregullave të prokurimit publik, bëhet shtesa: “Ky kusht nuk do të zbatohet nëse operatorët ekonomikë janë kontraktorë ose nënkontraktorë në një apo disa investime dhe nuk i kanë përfunduar punimet fizike, në masën 70% të vëllimeve të përgjithshme të punës, për shkaqe të përligjura, si:
i) vonesa si pasojë e ndërthurjes me një vepër tjetër në ndërtim, si KUZ, OSHEE etj;
ii) dëmtimi apo dalja në dritë e objekteve me vlera historike;
iii) vonesa në shpronësimin e subjekteve, të cilave u përket prona;
iv) ndryshim në prioritetet e qeverisjes në financim;
v) rishpërndarje të fondeve si pasojë e ndonjë emergjence, të justifikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, sipas dokumentacionit të lëshuar nga ky i fundit”.


Tarifa
Ndërkaq, kush ankohet për procedurat e garave për koncesione, duhet të paguajë një tarifë. Qeveria ka nxjerrë një vendim për përcaktimin e tarifës dhe të rregullave për pagimin e saj në një procedurë ankimimi ndaj tenderit të koncesionit/partneritetit publik privat, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).


Sipas vendimit, ankesa e paraqitur në rrugë elektronike pranë KPP nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë koncesioni/partneriteti publik privat, duhet të përmbajë dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Përjashtimisht, kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur pranë KKP-së shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse në numrin e llogarisë së KPP-së.

 

Për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja, përcaktohet se tarifa e pagesës është 10% e vlerës së sigurimit të ofertës në rastet kur është kërkuar një sigurim oferte ose 0.2% e vlerës së parashikuar të kontratës koncesionare, që ankimohet. Sipas vendimit të qeverisë, parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e tij përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KPP-ja.


Pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit, kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet. Në rast mospranimi, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit./Gazeta Shqip


Më të lexuarat