Secondary Adv

Autorizohet lista me 94 plazhe, jo me pak se 5 mije m2 per dhenien me qira

 

Biznesi i shtretërve dhe i çadrave në plazhe do të kalojë në pak duar. Këshilli i Ministrave i ka paraprirë çeljes së sezonit turistik me një vendim për plazhet, ku dhënia me qira kushtëzohet me marrjen e sipërfaqeve shumë të mëdha.


Plazhet do të mbikëqyren nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila do të kontrollojë sigurinë dhe cilësinë e tyre. Me një dokument të posaçëm, që titullohet “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”, autorizohet një listë me 94 plazhe.


Për këto vende pushimi publikohen hartat dhe koordinatat e vendndodhjes. Lista fillon me plazhet e Velipojës, Shëngjinit, Tales dhe vazhdon në gjithë bregdetin, deri në Sarandë. Sipas vendimit, përveç këtyre vendeve bregdetare, nuk mund të autorizohen plazhe të tjera.
Ndërkaq, qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Turizmit cakton edhe kufizime për stacionet e plazhit. Në pjesën ku flitet për detyrimet e institucioneve përgjegjëse, saktëson se ato duhet të bëjnë identifikimin e zonave të përshtatshme për plazhe si zona çlodhëse, argëtuese dhe ushtrimin e sporteve ujore, për përdorim publik, të konsideruara të parrezikshme për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore, higjienike apo e sigurisë.


Stacionet e plazhit përkufizohen si “veprimtari turistike e ushtruar në struktura lehtësisht të çmontueshme, të ndodhura pranë bregut të detit, të liqeneve ose lumenjve, të pajisura me kabina për plazh, dhoma zhveshjeje, shërbime higjienike, dushe dhe, sipas rastit, edhe me pajisje për ruajtjen dhe ofrimin e ushqimeve e pijeve, si dhe shërbime për sigurinë e pushuesve.”


Dhënia me qira
E reja për këtë sezon është se, dhënia me qira e hapësirës së plazheve personave fizikë e juridikë, për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, nuk lejohet për sipërfaqe të vogla që fragmentarizojnë vendin e pushimit. Qeveria ka caktuar si kufi për dhënie me qira të plazheve një sipërfaqe jo më të vogël se 5 mijë m², në rastin e plazheve me gjerësi më të madhe se 100 m dhe për plazhet e tjera në varësi të terrenit.


Një kufizim tjetër është koha. Plazhet do të jepen me qira për një afat kohor katërmujor. Sipas vendimit, poseduesit e lejeve janë të detyruar të marrin dhe të zbatojnë me korrektësi të gjitha masat e parashikuara për sigurinë dhe shëndetin. Inspektimi i këtyre zonave do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në bashkëpunim me institucionet e tjera që ngarkohen me përgjegjësi. “Plazhet që nuk janë përmendur në shtojcën A-1 nuk mund të jenë subjekt autorizimi”, theksohet në vendimin e qeverisë”.


Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi. Një javë më parë, Ministrisë së Zhvillimit Urban, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, në programin “Planifikimi urban dhe strehimi”, iu shtua fondi prej 38 milionë lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, për mbulimin e kostove të pastrimit të bregdetit, për Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.


Me këto para, sipas vendimit, do të paguhen 300 punonjës sezonalë që do të aktivizohen nga 15 maj deri në 15 shtator 2015. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Një fond mbi 18 milionë lekë për pastrimin e plazheve iu kalua edhe Ministrisë së Mbrojtjes.


Më të lexuarat