Secondary Adv

Raporti i UNECE, 8 miliarde leke vetem ndertimet pa leje ne Shqiperi

Ndërtimet informale që vlerësohen në total gati 500 mijë objekte mbartin në vetvete një vlerë investimi jashtëzakonisht të lartë. 

 

Në një raport të Kombeve të Bashkuara bëhet një vlerësim i përafërt për paratë e hedhura në këto ndërtime, shifër kjo që shkon gati sa dy buxhete vjetore. Konkretisht, sipas UNECE, vlerësohet që ndërtimet informale në total kanë një kosto prej 6 miliardë deri në 8 miliardë lekë.


Raporti
Në fakt, sipas Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, kjo është vlera e 400 mijë ndërtimeve dhe hapësira që zënë këto ndërtime është më shumë se 44 mijë hektarë. Në raport bëhet edhe një përmbledhje e situatës dhe ecurisë së procesit të legalizimeve, si dhe sfidat që paraqet ky i fundit.
Mes të tjerave raporti thekson se ajo që duhet të bëhet është një koordinim më i mirë institucional , pasi në vitet 2006-2015 vetëm 10 për qind e ndërtimeve informale janë legalizuar. E ndërsa procesi ka ecur me hapa të ngadaltë, ajo që ka qenë më dinamike ndër vite përfshin vetëm ndryshimet në ligjin kryesor. Madje një ndryshim i fundit që lidhej me pjesën e legalizimeve u miratua vetëm pak ditë më parë.


Vendimi i qeverisë që autorizon legalizimin e ndërtimeve informale të ndërtuara në truallin e një ish-pronari pas vitit 2009, u sqarua dje nga kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame. Sipas tij, një vendim i tillë i hap rrugë procesit për legalizimin e mijëra ndërtimeve.


“Ndërtimet e pas 2009- ës deri në 2014-ën, objektet e ndërtuara në këtë hark kohor, të cilat deri sot nuk përfshihen në ligjin e legalizimeve do të përfshihen tani me ndërhyrjet që do t’i bëhen ligjit. Realisht ishte një kënaqësi edhe për neve, që arritëm ta çojmë në një nga seancat e javës tjetër në Komisionet Parlamentare për të filluar shqyrtimin e projektligjit për përfshirjen në legalizim edhe të ndërtimeve të bëra pas vitit 2009. Nuk mund ta them se sa përfshihen në këto zona, por mjafton të them se në rang republike janë rreth 60 000 ndërtime pa leje që i përfshin kjo hapësirë kohore”, tha Lame.


Problemi
Por jo të gjithë ndërtimet informale do të kenë fatin të legalizohen dhe një qëndrim të tillë qeveria e bëri të ditur që në ditët e para të saj. Kjo u pa qartë që nga shembja e atyre ndërtimeve që ishin totalisht në kundërshtim me ligjin. Një tolerancë u bë për ndërtimet që ishin ndërtuar buzë rrugëve, ku nëse më herët distanca ishte 100 metra ajo u bë 20 metra dhe nga kjo përfituan jo pak por 30 mijë ndërtime.


Por nuk do të kenë të njëjtin fat ato ndërtime informale që janë në zona ku plani urbanistik parashikon ndërtim mbi pesë kate. “Studime, të cilat, për shkak se janë parashikuar ndërtime të larta, bllokojnë legalizimin në këto zona. Në rang Tirane janë rreth 14000 ndërtime që u bllokohet legalizimi për këtë arsye”, sqaroi Lame./Gazeta Panorama


Më të lexuarat