Secondary Adv

Ligji i ri per legalizimet perfshin 60 mije ndertime pas vitit 2009

Qeveria propozon në harkun kohor të 18 muajve një tjetër ndryshim në ligjin e legalizimeve, që i hap rrugë përfshirjes në proces të rreth 60 mijë objekteve të ndërtuara pa leje pas vitit 2009, të përjashtuara nga ligji i mëparshëm për shkak të ndryshimeve të miratuara në Kodin Penal.


“Ndryshimet në Kodin Penal të futura në fuqi në janar të 2009-s kishin dy parashikime. Së pari, bllokonin legalizimine e ndërtimeve të bëra në tokë shtetërore apo në tokën e palëve të treta. Së dyti, parashikonin dënim me gjobë dhe me burg”, u shpreh Artan Lame, kryetar i ALUIZNI-t.Por opozita thotë se qeveria nuk ka mbajtur premtimin për legalizim falas, të cilën propozon të përfshihet në ligj, ashtu sikurse heqjen e barrës hipotekore për energjinë.


“Pse ju nuk mbani premtimin? Së dyti, pse e keni refuzuar atë që ne u përpoqëm t’ia bashkëngjisnim premtimit tuaj, ta sillnit sot këtu legalizimin falas? A do të ishte me vend që ju të propozonit heqjen e barrës hipotekore për faturën e energjisë?”, deklaroi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
“Procesi i legalizimit është i gjithi falas. Do paguash – me ato 4-5 zbritje të përcaktuara – vetëm parcelën ndërtimore, nëse nuk është e jotja, por është e shtetit apo e një pronari. Nga paratë që do paguash parcelën, 10% të tyre mos ia jep ALUIZNI-t. Paguajini një vit dritat dhe sillni faturën që keni paguar dritat për një vit, në mënyrë që të të falen edhe këto 10%. Barra në këtë rast është pozitive për qytetarët”, tha më tej kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.


Kreu i ALUIZNI-t thotë se, nga 350.000 objekte pa leje në total, 50.000 janë legalizuar nga viti 2005, 21.700 gjatë 8 viteve të qeverisjes së demokratëve dhe 32.200 gjatë këtyre 18 muajve. Nga 300 mijë objekte të mbetura; 200 mijë, të cilat gjenden në zona informale sipas zotit Lame, parashikohen të legalizohen deri në vitin 2017./Top Channel


Më të lexuarat