Secondary Adv
ACP

Elbasan Arena inagurohet ne tetor 2014 | FSSH | 2013

federata shqiptare e futbollit

Projekti per Stadiumin Ruzhdi Bizhuta,Vendimi i FSHF për një investim prej 1.3 milion eurove, për stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, do ta kthejë këtë të fundit në një stadium ndërkombëtar. Projekti për stadiumin përfshin rikonstruksionin total të dhomave të zhveshjes, me kushtet që kërkon UEFA, doping, sallën e konferencave për shtyp, rikonstruksionin e të gjithë dhomave të gjyqtarëve, ndërhyrja e emergjencës, investime në pjesën e personave VIP, me rreth 400 vende, godinat e transmetimit.

 

 

Pjesë e projektit është edhe Bashkia e Elbasanit, me një fond të akorduar nga kjo e fundit për rikonstruksionin e rrugës rreth e qark stadiumit, si edhe hyrjes së tij, ndërsa pjesa tjetër, do të jetë investim i UEFA-s dhe qeverisë shqiptare.Punimet kanë nisur në 15 shkurt dhe pritet të përfundojnë në fund të muajit gusht. Pas rikonsdtruksionit total të stadiumit, është parashikuar që në vitin 2016, kombëtarja shqiptare të zhvillojë në stadiumin model të Elbasanit, ndeshjet e saj për kualifikimet europiane.

 

 

Kapaciteti- Fillimisht “Ruzhdi Bizhuta” u projektua për të pasur një kapacitet prej 11 mijë e 200 vendesh të ulura, duke mos lëvizur pothuajse asgjë nga shkallët aktuale që ka ky stadium. Por, në projekt e sipër, u vendos që të krijohen edhe shkallë portative, në mënyrë që gjatë takimeve të Kombëtares ky kapacitet të rritet edhe më shumë. Bëhet fjalë që numri të shkojë nga 13 mijë deri në 14 mijë vende të ulura. Tribuna kryesore, e cila ndodhet në perëndim të stadiumit, do të qëndrojë po aty, ndonëse do të shembet plotësisht për t’u restauruar, duke lënë vetëm disa kolona ekzistuese. Gjithsej kjo tribunë do të ketë një kapacitet prej 2200 vendesh (e gjitha e mbuluar, vetëm kjo e tillë në të gjithë stadiumin), ku 400 do të jenë vetëm për zonën VIP dhe 100 për gazetarët. Pjesa tjetër do të jetë për spektatorët. Në tribunën VIP do të ketë 20 vende ekstra-VIP, ku mund të ulen vetëm personalitetet më të larta. Tribuna do të ketë edhe një shtesë prej pesë shkallësh nga poshtë në krahasim me këtë aktualen, si dhe do të lihet hapësirë për shkallë të tjera portative.

 

 

Fusha- Për sa i përket tapetit të gjelbër, do të sillet një i ri krejtësisht sipas parametrave më të larta europianë. Kështu, tapeti do të vijë nga një vend perëndimor, emri i të cilit nuk dihet ende, pasi nuk është vendosur, por do të merret cilësia më e mirë, që kushton 5 euro metri katror dhe garancia do të jetë 5-vjeçare. Nënfusha do të restaurohet plotësisht, duke filluar nga impiantet e kullimit dhe bërë të mundur që, në rast të motit të keq, të mos përbëjë problem për lojtarët në fushë dhe terreni të mos kthehet në një “moçal” siç ndodhte më parë. Për sa i përket pjesës së pistës olimpike me tartan nuk është vendosur ende se çfarë do të bëhet, por po bëhen bisedime me krerë të federatës së atletikës për këtë çështje. Mësohet se edhe kjo federatë dëshiron që të ketë një pistë moderne, ndonëse duhen parë mundësitë.

 

Projekti per Stadiumin Ruzhdi Bizhuta04

 

 

Ora & dritat- Një pjesë e kushtueshme e impiantit të ri do të jetë edhe ora elektronike, e cila do të kushtojë rreth 100 mijë dollarë. Ajo është projektuar që të jetë me ekran dhe do të vendoset në pjesën jugore të stadiumit (prapa portës), aty ku ndodhet aktualisht edhe një pllakë betoni që shërbente për të treguar rezultatin e ndeshjes (ka disa vite që nuk funksionin më as për këtë gjë). Për sa i përket impiantit të ndriçimit, nuk pritet të ketë ndryshime në vendndodhjen e shtyllave ku do të bëhet ndriçimi i stadiumit. Pra, do të jenë katër ekzistueset në katër cepat e fushës. Do të vendosen kabllot për të bërë të mundur kalimin e energjisë dhe do të zëvendësohen panelet elektrikë. Për sa i përket fuqisë së ndriçimit të neoneve, është programuar që të plotësojë edhe kriteret e Ligës së Kampioneve, fuqia e tyre do të jetë nga 1500 deri në 2000 vat.

 

Projekti per Stadiumin Ruzhdi Bizhuta07

 

Fasada- Pjesa hyrëse e tribunës, e cila do të jetë me pamje nga perëndimi (siç është aktualisht), do të ndryshojë plotësisht dhe do të shembet për t’u ndërtuar nga e para. Pjesa kryesore e saj do të jetë prej xhami, pra do të ketë një fasadë ballore xhamllëku. Kjo do të ndërthuret me arkitekturën e qytetit të Elbasanit, në mënyrë që të simbolizojë edhe qytetin në të cilin po ndërtohet impianti. Për ngjyrat nuk është vendosur ende asgjë, por mendohet që të jetë një ndërthurje e ngjyrave kuq e zi (të Kombëtares shqiptare) dhe verdhë e blu (të skuadrës së Elbasanit). Për sa u përket ngjyrave, për të cilat ende nuk janë vendosur se si do të jenë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shkallët e stadiumit të ri, ku ato pak stola që janë aktualisht do të hiqen dhe do të zëvendësohen me të tjerë modern dhe sipas parametrave europianë, por pa e ditur ende nëse do të shkruhet ndonjë gjë te shkallët – me shumë gjasa nuk do të shkruhet gjë – ndryshe nga sa është tani, që në pjesën ballore të tribunës qendrore shkruhet “ELBASANI”. Ndenjëset te VIP-at normalisht do të kenë një tjetër cilësi nga pjesa tjetër e stolave të stadiumit.

Brendësia- Pjesa e brendshme e stadiumit është një nga restaurimet më të rëndësishme që pritet të ketë në “Ruzhdi Bizhuta”. Kështu, personat VIP do të kenë një hyrje të veçantë nga e gjithë pjesa tjetër që do të akomodohet në shkallët e tribunës dhe gjithë stadiumit. Për ta është projektuar një ashensor, i cili mban maksimumi 16 persona dhe do të shërbejë për t’u ngjitur nëpër vendet e tyre në tribunë. Por përkarshi do të ketë edhe shkallë të brendshme krejtësisht të veçuara me pjesën tjetër të tribunës. Te kjo zonë do të ndërtohet një restorant dhe një bar, i cili do të shërbejë vetëm për personalitetet, të cilët gjatë pushimit të ndeshjes mund të konsumojnë diçka. Në krahun e majtë të tribunës do të akomodohen gazetarët (100 vende) dhe do të jenë 4-5 kabina transmetimi me “wireless” (në të gjithë impiantin).

Në pozicionin që do të qëndrojnë gazetarët, po në krahun e majtë të tribunës, do të jetë edhe salla e konferencave (pak a shumë ku ka qenë edhe më parë), e cila do të plotësojë kushtet e UEFA-s dhe aty do të kenë akses vetëm gazetarët. Do të ketë edhe katër plate për të filmuar, dy prej të cilave do të jenë nga tribuna dhe dy të tjera do të jenë përballë saj dhe do të jenë të mbuluara. Një bar i posaçëm vetëm për median do të jetë në këtë zonë, një nga më të rëndësishmet pas asaj VIP. Një tjetër bar do të ndërtohet për pjesën tjetër të spektatorëve që do të jenë në shkallët e tribunës, por do të kenë mundësi që në këtë zonë të vinë për të pirë diçka edhe ata që jashtë tribunës në pjesën tjetër të impiantit. Në hyrje të stadiumit, në të djathtë të tribunës, do të ketë një dyqan suveniresh për Kombëtaren. Ai do të jetë i hapur gjatë takimeve që ekipi kombëtar do të zhvillojë në këtë stadium.

Projekti per Stadiumin Ruzhdi Bizhuta16

Dhomat- Një ndryshim të rëndësishëm do të kenë edhe dhomat në brendësi të tribunës, ku do të akomodohen skuadrat respektive, gjyqtarët, vëzhguesit. Kështu, dhomat e skuadrave do të jenë me kubaturat e përshtatshme sipas parametrave të UEFA-s për metra katrorë. Do të ketë një dhomë masazhi me dushe, si dhe një dhomë bashkangjitur ekipit që do të jetë e trajnerit.

Do të ndërtohen gjithashtu dy dhoma të mëdha, të cilat do të shërbejnë për gjyqtarët plus me nga një paradhomë, si për meshkujt dhe për femrat, veç e veç. Të dyja do të kenë nga dy banja secila, normalisht me dushe. Për vëzhguesit dhe delegatët janë programuar tri dhoma të mëdha vëzhgimi. Të gjitha këto do të jenë me sistem ngrohjeje kaldaje, siç do të jetë edhe pjesa tjetër e zyrave të tribunës dhe kabinave. Janë programuar të ketë 3 ose 4 zyra ndihmëse. Stadiumi do të ndahet në disa zona, përkatësisht në gjashtë të tilla, A-B-C-D-E, si dhe ajo e VIP-ve. Për miqtë është vendosur që të akomodohen në lindje të orës elektronike dhe do të zënë 5% të kapacitetit të stadiumit. Gjithsej do të jenë 10 hyrje, dy prej të cilave do të shërbejnë vetëm për makinat (ambulancë, zjarrfikëse) dhe 8 të tjerat do të jenë për tifozët.

Parkimi- Është menduar që të ketë gjithsej 400 vende parkimi, të cilat pritet që të jenë në pjesën ballore të stadiumit, pra në hyrje të tij. 170 prej tyre do të jenë të rezervuara vetëm për VIP-at, duke plotësuar në këtë mënyrë edhe kushtin e UEFA-s për këtë çështje.

Portali i ndertimit

Me shume projekte ne Shqiperi