Secondary Adv

Pas jahteve, qeveria ul tarifen doganore per importin e gomoneve

Pas përjashtimit nga TVSH në import, të jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, jo më të vjetra se 20 vjet, në fuqi do hyjë një tjetër lehtësim por këtë herë për gomonet.

 

Në ndryshimet e bëra në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore” që është botuar në Fletoren Zyrtare është përcaktuar se tarifa doganore për kodin tarifor të NKM 8903 10, “mjetet e tjera ujore për kënaqësi dhe sporte, të fryra me ajër ose gaz”, nga 15 për qind bëhet 2 për qind. Në këtë kod përfshihen kryesisht mjetet prej gome apo gomonet. Më herët, Ndryshimi i shkallës së tarifës doganore për jahtet u kundërshtua nga Presidenti i Republikës duke e kthyer ligjin nën argumentin e klientelzimit, por qeveria e çoi deri në fund miratimin.

 

Edhe në këtë rast ashtu si me jahtet qeveria ka argumentuar se kjo bëhet në funksion të turizmit. Qytetarët sipas saj do të kenë më shumë akses në këto mjete që nuk janë aq të kushtueshme sa jahtet ndërkohë që po në të njëjtën linjë është nënvizuar se nuk ka përjashtim por vetëm ulje të nivelit të tarifës një praktikë që ekziston në një sërë kodesh tarifore.

 

Importet e mjeteve ujore

Shifrat zyrtare tregojnë se importi i mjeteve ujore ka variuar nga viti në vit. Kështu për 3 vitet e fundit, për këto 2 kode tarifore 8 shifrore të përfshirë në kodin tarifor NKM 8903 10 importet janë të tilla.

-Për vitin 2018, janë importuar gjithsej 2 517 mjete ujore, me vlerë detyrimi doganor 2 724 375 lekë dhe TVSH në masën 5 140 623 lekë. 

-Për vitin 2019, në të dy këto kode tarifore, janë importuar gjithsej 551 mjete ujore, me vlerë detyrimi doganor 3 956 050 lekë dhe TVSH në masën 6 745 906 lekë.

 

-Për vitin 2020, në të dy këto kode tarifore, janë importuar gjithsej 1493 mjete ujore, me vlerë detyrimi doganor 2 981 224 lekë dhe TVSH në masën 8 389 103 lekë.

Teksa Shqipëria nxiton të krijojë kushtet për importet e mjeteve ujore përfshirë jahtet apo gomonet duket se në aspektin infrastrukturor nuk ka asnjë avancim. Prej vitesh tashmë janë dhënë koncesione për marina e porte turistikë por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar. I vetmi port jahtesh në vend është ai në Orikum./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat