Secondary Adv

Mbi 700 mln euro demi ekonomik nga institucionet- KLSH: Shkelesit me te medhenj

Ndonëse punuan me personel të reduktuar e me më pak orë në 2020, shkeljet dhe abuzimet e institucioneve i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit 712 mln euro humbje.

 

Kjo është vlera e evidentuar në raportin vjetor të performancës, hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH parashikoi 145 auditime, prej të cilave evadoi 75, për shkak të pengesave nga pandemia, ku dëmi më i madh konstatohet në përdorimin joeficient për shpenzime operative, shkelje në kontratat e pronave e koncesioneve, si dhe shkeljet në tatime e dogana. Një zë i rëndësishëm janë edhe shkeljet e disiplinës buxhetore në likuidimin e faturave, për paga e shpenzime operative si dhe keqmenaxhimin e fondeve të programuara, i cili është shoqëruar me krijimin e detyrimeve të prapambetura.

 

DETAJET E RAPORTIT

Gjetjet e publikuara në raportin vjetor të KLSH-së ndahen në dy zëra. I pari flet për dëmin ekonomik prej 17.7 milionë eurosh, si pasojë e shkeljeve dhe abuzimeve nga institucionet dhe 694.1 milionë euro të tjera janë në zërin e të ardhurave dhe shpenzimeve, jo vetëm si pasojë e recesionit ekonomik të shkaktuar koronavirusi, por edhe nga vendimet e parregullta të marra nga autoritetet. Në raport, KLSH konstaton edhe mospërputhje për sa i përket shumës së detyrimeve të prapambetura.

 

Sipas KLSH, detyrimet e prapambetura që raportohen nga njësitë buxhetore nuk janë të sakta, pasi jashtë tyre janë lënë një sërë aspektesh që e rrisin vlerën. Kështu, KLSH konstaton se nuk raportohen ose raportohen pjesërisht vendimet gjyqësore të formës së prerë për largimet e padrejta nga puna, vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar, si dhe mosrimbursimi i TVSHsë. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se vlera e detyrimeve të prapambetura është 24.4 miliardë lekë, ndryshe nga qeveria që i llogariti 17 miliardë lekë.

 

Puna audituese është përqendruar në fushat për të cilat KLSH ka vlerësuar një nivel të lartë risku, pjesa më e madhe janë institucione në nivel vendor, ndërsa të tjera i përkasin qeverisjes qendrore. Ndonëse konstaton shkelje të rënda që cenojnë në masë buxhetin e shtetit, roli i KLSH është i kufizuar. Përgjatë janar-dhjetorit 2020 KLSH ka adresuar 1430 rekomandime të karakterit ligjor, ndërsa ka përcjellë në organet kompetente tetë kallëzime dhe indicie penale./Burimi: Panorama.al


Më të lexuarat