Secondary Adv

Ekonomia po i rikthehet normalitetit por oferta per pune mbetet e ulet

Që nga fillimi i krizës pandemike, ofertat për vende të lira pune kanë pësuar rënie të ndjeshme, por edhe pas hapjes së ekonomisë ka fluks të ulët ofertash nga bizneset.

 

Aktualisht zyrat e punës në të gjithë vendin kanë shpallur vetëm 390 oferta për punë. Pjesa më e madhe e tyre rrethe 83 janë në qytetin e Durrësit, 55 në Tiranë, 30 në Elbasan, 22 në Shkodër, 18 në Sarandë, 14 në Vlorë, 12 në Lezhë ndërsa në bashkitë e tjera ka një numër më të ulët. Pjesa më e madhe e vende të lira të punës janë për sektorin e industrisë, punëve artizanale dhe turizmit. Vetëm 10 për qind e vendeve të lira të punës kërkojnë persona me arsim të lartë, ndërsa 90 për qind kërkojnë punonjës me arsim të 9-vjecar, të mesëm apo profesional. Gati 50 për qind e ofertës është për pagë minimale, ndërkohë që nuk ka asnjë ofertë për vend punë me pagë mbi 100,000 lekë/muaj.

 

Oferta e për vende të lira pune ra ndjeshëm në zyrat e punës gjatë periudhës së pandemisë. Në vitin 2018 dhe 2019 bizneset ofruan nga 40 mijë vende punë të lira në secilin vit. Por ndërkohë që oferta e bizneseve është tkurrur kërkesat për punë në zyrat e punësimit kanë pësuar rritje të ndjeshme gjatë pandemisë. Sipas Observatorit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjatë vitit të pandemisë, nga marsi 2020 në mars 2021 rreth 66,770 persona u regjistruan sërish në Zyrat e Punës në kërkim të punësimit.

 

Numri i punëkërkuesve thuajse u dyfishua në krahasim me para pandemisë, teksa kulmi u shënua në muajin prill 2020, kur mbi 12,744 persona u regjistruan për punësim. Në mars – prill 2020 ishin flukset më mëdha të regjistrimeve të cilat u nxitën nga kushtet e qeverisë për të përfituar nga paketat e ndihmës gjatë pandemisë. Kërkesat ranë disi me hapjen e ekonomisë dhe fillimin e sezonit veror, por regjistrimet nisën sërish me rritjen në shtator 2020 e cila ka vijuar të jetë e lartë edhe për tre muajt e parë të vitit 2021.

 

Analizat e institucioneve financiare ndërkombëtare tregojnë se, tregu i punës në Shqipëri do të jetë ndër më të goditurit në rajon për shkak të varësisë së lartë nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë, si dhe informalitetit të lartë. Gjithashtu tregu i punës në Shqipëri vuan nga mungesa e aftësive dhe orientim të dobët të arsimit me nevojat e tregut të punës./Burimi: Monitor


Më të lexuarat