Secondary Adv

Permiresohet aftesia paguese e firmave- BSH: Me e mira ne 11 vite

Situata e firmave dhe aftësia paguese u përmirësuan ndjeshëm në tremujorin e 2, sipas sondazhit të BSH me bankat, për faktorët që ndikuan standardet e kredisë për bizneset.

 

Balanca e përgjigjeve ishte -4.9 në tremujorin e dytë 2020-s, që është niveli më pozitiv që kur Banka e Shqipërisë e raporton këtë tregues në 11 vjet. (Sipas metodologjisë së BSH treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një tremujor të caktuar.) Balanca më negative u regjistrua në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit të kaluar (duke arritur në -50.7 në tremujorin e tretë), që përkon me periudhën kur bizneset po vuanin pasojat e karantinës dhe tkurrjes së konsumit e reduktimit të porosive nga eksportet, si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia.

 

Në të njëjtën linjë është përmirësuar dhe perceptimi i rrezikut, me balancën e përgjigjeve që rezultoi -2 në tremujorin e dytë, nga -48.4 në tremujorin e tretë 2020. Rigjallërimi i ekonomisë pas pandemisë, dhe rritja e fortë e eksporteve, si rrjedhojë e përmirësimit të konjukturës së çmimeve në tregjet ndërkombëtare e shtimit të kërkesës nga partnerët e huaj i kanë dhënë frymëmarrje bizneseve, që kaluan një vit të vështirë.

 

Kjo situatë ka ndikuar pozitivisht dhe në sjelljen e sistemit bankar ndaj sipërmarrjeve. Bankat raportuan një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, për herë të parë pas pesë tremujorësh në shtrëngim të vazhdueshëm. Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti lehtësimi i standardeve u shfaq si për kreditë dhënë për financimin e investimeve, ashtu dhe ato për mbulimin e nevojave për likuiditet./Burimi: Monitor


Më të lexuarat