Secondary Adv

Raporti i KLSH: Qeveria deshtoi me menaxhimin e mbetjeve

KLSH ka dalë në përfundimin se menaxhimi i mbetjeve plastike në vend lë për të dëshiruar dhe e vetmja nismë që ka pasur ndikim minimal ka qenë ajo e qeseve.

 

Nisma të tjera më të hershme të ndjekura nga Bashkitë dhe të trumbetuara si e ardhmja e menaxhimit kanë dështuar duke mos dhënë rezultat. KLSH vëren se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM), Bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Elbasan nuk kanë qenë efektive sa u përket menaxhimit të mbetjeve plastike për periudhën 2017-2020 që u mor në analizë gjatë auditimit.


“Mangësi të theksuara janë vërejtur në hartimin dhe miratimin e kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për menaxhimin e mbetjeve plastike. MTM nuk ka hartuar Programet e parandalimit të krijimit të mbetjeve dhe nuk ka raportuar asnjëherë në Këshillin e Ministrave mbi Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve, ndërsa Bashkia e Tiranës dhe Vlorës nuk kanë hartuar dhe miratuar Planet Vendore për menaxhimin e integruar të mbetjeve” thuhet në raport.


I njëjti dokument ndalet tek bashkitë specifike, duke nënvizuar se atyre u mungon infrastruktura për të diferencuar mbetjet. “Bashkitë e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës nuk kanë krijuar infrastrukturën e nevojshme për të bërë të mundur grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim.

 

Si dhe objektivi kryesor për përdorimin dhe riciklimin e plastikës me 22.5% kundrejt volumit total që krijohet në këto bashki, nuk është arritur dhe nuk do të arrihet për aq kohë sa infrastruktura do të jetë kjo që është” nënvizon KLSH.


Ky institucion thekson se aktivitetet informuese dhe edukuese që Bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Vlorë do të duhej të arrinin nëpërmjet kompanive private që kryejnë shërbimin e pastrimit të qytetit dhe që kanë detyrimin kontraktual për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve por nuk janë arritur.

 

Më shqetësues është fakti që sot autoritetet nuk kanë të dhëna të sakta për mbetjet plastike që gjenerohen apo riciklohen në vend. “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kanë të dhëna të plota dhe të sakta në nivel kombëtar, mbi sasinë e mbetjeve plastike që gjenerohen dhe riciklohen në Shqipëri.

 

Të dhënat mbi sasinë e mbetjeve plastike të gjeneruara dhe të menaxhuara do të vazhdojnë të jenë problem deri në momentin që NJQV të arrijnë të sigurojnë ndarjen e mbetjeve në burim (duke qenë se ndarja në burim nuk bëhet në asnjë prej bashkive subjekt auditimi), grumbullimin e diferencuar dhe peshimin e sasisë së mbetjeve sipas rrymave në momentin dërgimit të tyre në landfill, incenerator” thuhet në raport.


Ky dokument ndalet edhe tek ndërtimi i inceneratorëve si alternativë që përfshin pjesën e mbetjeve por duke ju referuar studimit të Bashkimit Euopian e cilëson atë si një ndër zgjidhjet e fundit për çështjen e mbetjeve për shkak të ndotjes së madhe që krijon kjo praktikë./Burimi: Revista Monitor https://www.monitor.al/qeveria-deshton-me-menaxhimin-e-mbetjeve-klsh-ska-te-dhena-ndarja-ne-burim-inekzistente/


Më të lexuarat