Secondary Adv

Ministria e Arsimit do financoje transportin e nxenesve ne zona te thella

Rreth 20 mijë nxënës në vendin tonë mësojnë në klasa kolektive.

 

Shifrën e bëri me dije ministrja e Arsimit Evis Kushi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ku ka raportuar për projektbuxhetin 2022. Problemi i klasave kolektive në zona periferike sipas Kushit lidhet ngushtë dhe me transportin pasi infrastruktura është e vështirë dhe çmimi i biletës kushton.

 

Për të zgjidhur këtë problem ministrja tha se kanë nisur një VKM që do rrisë me 50% financimin për transportin e nxënësve, dhe kjo është drejt miratimit në Këshillim e Ministrave.

 

Në buxhetin e vitit që vjen Kushi tha se kanë përfshirë fondin prej 950 milionë lekë që është i dedikuar pikërisht për transportin e nxënësve dhe të mësuesve.

 

“Shërbimi i transportit, ka qenë një problem shumë i theksuar i cili lidhet ngushtë dhe me ekzistencën e klasave kolektive, ne kemi realizuar një reformë në përqendrimin e shkollave apo në uljen e numrit të nxënësve që mësojnë në klasa kolektive, e vërteta është se kemi një numër të caktuar nxenësish rreth 20 mijë që mësojnë në klasa kolektive kjo është e lidhur me transportin.

 

Sepse edhe infrastruktura atje është e vështirë por edhe çmimi i biletës, shpesh procedurat që organizohen nga drejtoritë rajonale për transportin e nxënësve dështojnë sepse operatorët s’janë të interesuar të marrin nxënës nga zona të largëta për një çmim që është i ulët.

 

Prandaj ne kemi filluar vkm që do rrisë me 50% financimin për transportin e nxënësve. Jemi në përfundim të procedurës së shpejti do miratohet në këshill të ministrave, por ndërkohë ne kemi arritur që të përfshijmë në buxhetin e vitit që vjen fondin prej 950 mln lekë që është i dedikuar pikërisht për transportin e nxënësve dhe të mësuesve.

 

Është fjala 35 mijë nxënës që kanë vendbanim mbi 2 km larg nga shkolla dhe 12 mijë mësues që punojnë mbi 5 km larg nga vendbanimi i tyre”, tha Kushi. “Në arsimin parauniversitar, 32.6 miliardë lekë. Prioriteti kryesor është cilësia e reformave dhe gjithëpërfshirja.

 

Risi është investimi për fuqizimin e teknologjisë dhe informacionit dhe laboratorët didaktik. Në shumë shkolla laboratorët kanë qenë të vjetruara, ose kanë qenë dhumë pak, ndërsa teknologjia e informacionit është emergjencë.

 

Janë përcaktuar 570 milionë lekë për teknologjinë për një infrastrukturë moderne. Investimet nuk janë vetëm për këtë vit, për 3 vitet e ardhshme buxheti për teknologjinë të jetë 1.7 miliardë lekë, për të mundësuar 550 shkolla porsa i takon TIK.

 

E njëjta edhe me laboratorët didaktik për lëndët, biologji, fizikë dhe kimi kemi parashikuar 400 milionë lekë këtë vit, ndërsa në tre vite do investohen 1.2 miliardë lekë, për 300 shkolla për laboratorët”, ka thënë ndër të tjera ministrja./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat