Secondary Adv

Te dielen raundi i dyte i zgjedhjeve ne 21 komuna te Kosoves

Subjektet politike sot do të përmbyllin fushatën zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve, të cilat do të mbahen ditën e diel, 14 nëntor.

 

Kandidatët të cilët janë në garë për kryetar të komunave, sot kanë ditën e fundit që të takojnë qytetarët e të shpalosin programet e tyre. Fushata zgjedhore sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte pesë ditë.

 

Në raundin e dytë të zgjedhjeve do të votohet në 21 komuna, përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Gjakovën, Podujevën, Drenasin, Kaçanikun, Istogun, Dragashin, Fushë Kosovën, Obiliqin, Klinën, Kamenicën, Rahovecin, Junikun, Vitinë, Malishevën, Vushtrrinë, Shtimen, Kllokotin dhe Mamushën.

 

Ndërsa, të drejtë vote kanë 1,260,571 qytetarë, procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477. Për gjatë kësaj kohe në mbështetje të kandidatëve për kryetar të komunave kanë qenë edhe liderët e subjekteve politike, transmeton Telegrafi.

 

Kryetari i Lëvzijes Vetëvendosje, Albin Kurti, në vazhdimësi ka bërë thirrje që të votohen kandidatët e LVV, duke thënë se kandidatët kanë një program të qartë.

 

“Unë nuk ju kërkoj gjë tjetër veç votës masive dhe ndjenjës së përgjegjësisë për kryeqytetin e Republikës dhe për komunat e Kosovës. Ne ju propozojmë një program konkret dhe të qartë dhe të zbatueshëm, por edhe një udhëheqës të thjeshtë e të ditur e punëtor.

 

Votoni sepse komuna është e jona, sepse Republika është e jona, kryetari është i yni, qytetarët janë tanët, trashëgimia, shëndeti, arsimi, industria, kultura janë për ne dhe janë vepër e jona, dhe ne të gjithë e secili, bashkë, jemi të të gjitha këtyre dhe të të gjithëve”, thuhej në mesazhin e liderit të LVV.

 

Po ashtu, edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ftuar qytetarët që të votojnë kandidatët e LDK, duke thënë se rrugëtimi i tyre është i drejtë dhe i qartë./Burimi: Telegrafi


Më të lexuarat