×
Secondary Adv

Dobesohet Euro, por Dollari arrin nivelin me te larte ne 16 muaj

Leku u forcua në kursin e këmbimit ndaj Euros për të nëntën ditë radhazi, duke rifituar pjesën më të madhe të terrenit që kishte humbur në gjysmën e dytë të tetorit.

 

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 121.71 lekë. Që nga data 4 nëntor, kur nis rënien, Euro ka humbur 1.16 pikë në kursin e këmbimit me lekun.

 

Aktualisht, Euro ndodhet pranë niveleve të datës 20 tetor, kur pati nisur një cikël i mbiçmimit të shpejtë, i nxitur kryesisht nga kërkesa për nevoja të importit të energjisë elektrike, duke iu afruar 123 lekëve.

 

Por, megjithë shqetësimin për ndikimin që mund të jepte ky faktor në kursin e këmbimit valutor, për momentin ndikimi i tij është frenuar, madje leku i ka rifituar pozitat e mëparshme në më pak se një muaj.

 

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, gjatë ditëve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të ofertës së Euros në tregun e këmbimit valutor. Në veçanti, ka qenë një bankë tregtare që ka kryer operacione të shitjes së Euros në vlerë të madhe, me shumë të ngjarë për nevojat e klientëve të vet.

 

Më në përgjithësi, oferta e Euros në ekonomi dhe në tregun valutor, sipas agjentëve, ngelet e bollshme. Ata shprehen se Euro mund të kthehet sërish pranë nivelit të 121 lekëve, ku ndodhej në pjesën e parë të muajit Tetor.

 

Megjithatë, ata mendojnë se pozitat e Euros në të ardhmen e afërt mund të jenë sërish të luhatshme, të ndikuara nga vlerat e larta të importit të energjisë elektrike, por edhe nga thellimi i deficitit tregtar, për shkak të shtrenjtimit të mallrave të konsumit.

 

Presionet e larta inflacioniste nga jashtë priten të ngelen një faktor me ndikim në bilancin e llogarisë korente dhe në kursin e këmbimit valutor. Një faktor që mund të ndikojë në kahun e kundërt është emetimi i radhës i Eurobondit.

 

Pritet që brenda muajit Nëntor qeveria shqiptare të realizojë emetimin e radhës në trejget ndërkombëtare, për një vlerë prej 700 milionë Eurosh. Në pjesën më të madhe ky Eurobond do të përdoret për rifinancimin e borxheve të jashtme ekzistuese.

 

Megjithatë, një pjesë e tij, rreth 70 milionë euro, do të shkojnë për financimin e deficitit buxhetor dhe do të rrisin në një masë të vogël ofertën për valutë në tregun e brendshëm.

 

Ndërkohë që fiton pikë ndaj Euros, Leku vazhdon të humbasë terren ndaj Dollarit Amerikan, që të mërkurën u këmbye me 107.58 lekë, niveli më i lartë që prej korrikut të vitit të kaluar.

 

Megjithatë, sipas ekspertëve kursi i Dollarit dhe valutave të tjera nuk ndikohet shumë nga zhvillimet në tregun e brendshëm, por thjesht reflekton kursin e këtyre valutave në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos raportet e këmbimit të tyre me Euron.

 

Në muajt e fundit, Dollari është forcuar kundrejt Euros, i shtyrë sidomos nga inflacioni i lartë në SHBA dhe pritshmëritë për shtrëngim të politikës monetare të Rezervës Federale.

 

Megjithëse pesha e Dollarit në ekonominë shqiptare dhe në bilancin tregtar të vendit ka rënë ndjeshëm, tërthorazi nënçmimi i Lekut ndaj valutës amerikane mund të ndikojë ndjeshëm çmimet e mallrave jetike, si karburantet apo gruri.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/leku-rifiton-terrenin-qe-humbi-ne-tetor-ndaj-euros-por-dollari-arrin-nivelin-me-te-larte-ne-16-muaj/


Më të lexuarat