×
Secondary Adv

Shtrenjtohet gazi, i njejti cmim per cdo kategori perdorimi

Çmimi i gazit në treg do të shkojë 71 lekë për litër pavarësisht kategorive të përdorimit.

 

Vlera e llogaritur nga Ministria e Financave del në bazë të akcizës së re të unifikuar në 6 lekë/litër për këtë produkt. Në relacionin që shoqëron projektligjin e ndryshimeve në nivelin e akcizës, bëhet me dije se kjo iniciativë është ndërmarrë për të ulur evazionin në treg, pasi deri më sot akciza ishte 8 lekë/litër mbi gazin që përdorej për automjetet dhe 0 lekë/litër mbi gazin që përdorej për qëllime të tjera si biznesi apo nga konsumatorët familjarë.

 

Në relacion thuhet se “Projektligji, synon të vendosë një nivel akcize për gazin e lëngshëm pa diferencuar qëllimin e përdorimit, pasi siç është formuluar ligji aktualisht jep mundësinë e abuzivizmit me sasinë e gazit që nuk paguan akcizë.

 

Ndërkohë që theksohet gjithashtu se pas më shumë se një viti kontrollesh në zinxhirin e plotë të tregëtimit të gazit, sipas ministrisë së Financave, është konstatuar se unifikimi është e vetmja zgjidhje për uljen e evazionit në treg.

 

“Nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse, rreth 2/3 nuk ngarkohet me akcizë, që presupozon se nuk përdoret si karburant për automjetet, ndërkohë që vetëm 1/3 e sasisë së importuar deklarohet për përdorim automjetesh dhe ngarkohet me akcizë.

 

Përvoja disa vjeçare ka treguar se administrimi i deklarimit të destinacionit të përdorimit të këtij nënprodukti është shumë i vështirë, duke krijuar mundësi për shmangie nga pagesa e akcizës.”

 

Sa i takon çmimit të gazit aktualisht, sipas Ministrisë së Financave, rritja ka ardhur për shkak të rritjes së bursës me 110%. Nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në  nivelin 6 lekë/litri pritet që të arkëtohen rreth 375 milion lekë më shumë akcizë në vit./Burimi: SCAN


Më të lexuarat