Secondary Adv

Shqiperia nje nder vendet me normen me te ulet te vaksinimit

Në të gjithë Europën, numri i njerëzve të infektuar me variantin ngjitës Delta po rritet dhe shumë qeveri po marrin në konsideratë të vendosin kufizime të reja.

 

Por kjo valë po prek disa vende shumë më tepër se të tjerat. Nga Ballkani në Rajonin Baltik, janë shfaqur zona të caktuara më të cenuara, që përfshijnë një sërë vendesh me shkallë të ulët vaksinimi. Në javët e fundit, shkalla e vdekjeve nga Covid-19 ka arritur nivele rekord në Bullgari, Letoni dhe Rumani, sipas The Economist.

 

Në javën deri më 8 nëntor, në Bullgari u konfirmuan 22.8 vdekje për çdo 1 milion persona. Në Rumani, kjo shifër ishte 21.8 dhe në Letoni 18.8. Megjithatë, për BE në tërësi, ishte vetëm 3.0.

 

Numri i rasteve po bie në ato vende që ishin goditur keq, por tani po rritet në Kroaci, Estoni, Lituani, Slloveni dhe Ukrainë. Të gjitha vendet që po përjetojnë nivele të larta vdekjesh, kanë mbetur mbrapa në procesin e vaksinimit.

 

Vetëm 23% e bullgarëve dhe 34% e rumunëve janë vaksinuar me dy doza. Në Letoni, kjo përqindje është 57%, por ishte shumë më e ulët një muaj më parë, kur u përhap vala aktuale.

 

Në BE në tërësi, 66% e personave janë vaksinuar me dy doza. Komisioni Europian publikoi së fundmi një grafik të vendeve të BE, që tregon se sa më e lartë të jetë norma e vaksinimit, aq më e ulët është norma e vdekjeve.

 

Shqipëria, ndër shtetet me normën më të ulët të vaksinimit në Europë

Të dhëna të tjera të Worldindata, tregojnë se Shqipëria vijon të mbetet një nga shtetet me normën më të ulët të vaksinimit në Europë.

 

Deri në 22 nëntor, rreth 33% ishte plotësisht e vaksinuar dhe 37% kishte marrë të paktën një dozë. Shqipëria është më mirë vetëm se Bosnja, që ka vaksinuar plotësisht 22% të popullsisë dhe Bullgaria (29%).

 

Kosova, që nisi procesin pas nesh, ka vaksinuar tërësisht 42% të popullsisë. Prej ditësh autoritetet e Kosovës raportojnë një nivel të ulët infektimesh dhe shifra minimale vdekjesh.

 

Edhe Maqedonia e Veriut, që ishte pas nesh me procesin, i ka dhënë të dyja dozat për 38% të popullsisë. Serbia, që në fillim të vitit ishte ndër të parat në Europë për nivelin e lartë të vaksinimit, ka mbetur pas, me 45% që ka marrë të dyja dozat.

 

Në këtë mënyrë, Kosova është vendi që ka kaluar në krye për këtë proces në rajon. I gjithë rajoni ka mbetur shumë pas Europës, që tashmë mesatarisht ka vaksinuar plotësisht më shumë se gjysmën e popullsisë (57%).

 

Burimi:Monitor https://www.monitor.al/numri-i-perdoruesve-te-internetit-nga-celulari-arrin-shifer-rekord-trafiku-pothuajse-u-dyfishua/


Më të lexuarat