Secondary Adv

Shqiperia dhe Maqedonia e Veriut do kene pika te perbashketa kufitare

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do kenë pika të përbashkëta kufitare, kështu u shpreh ministri i Brendshëm në Kuvend për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

 

Sipas tij, operimi përmes pikave të përbashkëta kufitare lehtëson lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve. “Marrëveshja që kemi sjellë sot për miratim, e lidhur mes qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, ka të bëjë me ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

 

Është një marrëveshje që krijon një instrument që do të lehtësojë jashtëzakonisht shumë, qoftë kalimin e shtetasve midis dy vendeve, ashtu edhe të mallrave dhe shërbimeve.

 

Njëherësh kjo marrëveshje do të përmirësojë kushtet për një kontroll më inteligjent të pikave të kalimit kufitar, duke i sjellë ato sado pranë në linjë me standardet e BE-së.

 

Kjo marrëveshje është iniciuar, diskutuar dhe bashkërenduar midis palëve, duke marrë parasysh fluksin gjithmonë dhe më në rritje të qarkullimit të shtetasve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

 

Ne besojmë se kjo do të përmbushë synimin për përmirësimin e infrastrukturës së transportit rajonal dhe të hapësirës më të gjerë europiane”, tha Çuçi.

 

Ai theksoi se kjo është një marrëveshje kuadër për të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, që ne kemi me Maqedoninë e Veriut dhe krijon bazat në parim për vendosjen dhe funksionimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

“Që do të thotë, në të gjitha pikat që ne kemi me MV, do të ketë vetëm një sportel kontrolli. Siç e dini, janë 6 pika të kalimit kufitar, ku do të zbatohet kjo marrëveshje; Bllatë, Qafë Thanë, Xhepisht/Trebisht që në fakt ka një lehtësim edhe sot që flasim, Tushemisht, Liqeni i Pogradecit dhe Goricë.

 

Marrëveshja është e bazuar në modele të tjera që ne kemi edhe me shtete të tjera dhe që e kemi përgatitur bashkë me konsultimin e Misionit PAMECA në vendin tonë.

 

Qëllimi kryesor është thjeshtëzimi dhe përshpejtimi i verifikimit kufitar në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i shtetasve dhe mallrave midis dy vendeve./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat