
Ndryshon ligji per huamarrjen dhe garancite shteterore, perfshihet me shume AKT
Qeveria parashikon të ndryshojë ligjin për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancinë shtetërore si një reflektim pas situatës që krijoi COVID-19.
Në një draftligj të publikuar së fundmi për konsultim nënvizohet se ndryshimi është bërë në disa aspekte në raport me ligjin ekzistues duke shtuar më shumë përfshirje edhe për Agjencinë e Trajtimit të Kredive. “Nevoja për ndryshimin e ligjit lindi nga një sërë problematikash e vështirësish të ndodhura pas emetimit, në kushtet e emergjencës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, të dy Garancive Sovrane për ti ardhur në ndihmë bizneseve të prekura.
Për të adresuar një sërë shqetësimesh që lindën në lidhje me administrimin e këtyre skemave, në kushtet ku strukturat e Ministrisë ë Financave dhe Ekonomisë, nuk kanë kapacitetet për administrimin e një sërë aspektesh, si: verifikimi i rasteve të thirrjes së garancisë; rikuperimin e të drejtave që i lindin MFE pas çdo pagese në kuadër të garancive të lëshuara, lindi nevoja që këto funksione, t’i kalohen një strukture, që është nën varësinë e MFE dhe që ka ekspertizën e nevojshme në këtë drejtim, konkretisht, Agjencia e Trajtimit të Kredive (ATK)” thuhet në relacion.
Sa i takon ligjit një ndër pikat që duket se është riformuluar tërësisht është ajo për qëllimet e lëshimit të garancive shtetërore duke parashikuar të paktën pesë element. Kështu Ministri përgjegjës për financat në emër të Republikës së Shqipërisë ose Këshillit të Ministrave, lëshon garanci shtetërore të huasë:
a) për të mbështetur politikat zhvillimore të sektorëve të ekonomisë;
b) për të mbështetur kreditimin e ndërmarrjeve shtetërorë më rëndësi strategjike me qëllim realizimin e projekteve të investimeve nga këto ndërmarrje;
c) për të mbështetur kreditimin e ndërmarrjeve private, në zbatim të politikave të veçanta të Qeverisë. Në këtë rast mund të përdoren skema të veçanta kolektive të garancive shtetërore. Menaxhimi i disa aspekteve të këtyre skemave të veçanta të garancive, duke përfshirë por pa u kufizuar në, monitorimin e zbatimit të skemave, menaxhimin e dokumentacionit, mbikëqyrja dhe ndjekja e kthimit të garancisë, do të mundësohet nga një institucion i caktuar me ligj për kryerjen e këtyre funksioneve (referuar në këtë ligj si “institucioni i caktuar me ligj për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive”);
ç) për të mbështetur masat që mund të ndërmerren në rastet e ndonjë krize të sistemit financiar;
d) për të mbështetur ristrukturimin e portofolit ekzistues të garancive shtetërore të huasë me qëllim reduktimin e nivelit të riskut.
Mbledhja e borxheve të kompanive publike
Relacioni i projektligjit të ri sjell në vëmendje një tjetër aspekt të rëndësishëm që lidhet me garancitë apo marrëveshjet e nënhuasë që kompanitë publike si ujësjellësit dhe energjia përfitojnë dhe që mbledhja e detyrimeve ndaj tyre bëhet e vështirë. Në këtë kontekst Agjencia e Trajtimit të Kredive merr një tjetër rol.
“Çështja e mbledhjes së detyrimeve nga këto subjekte kundrejt buxhetit të shtetit është një problem që i është kushtuar vëmendje e veçantë gjatë auditimeve të KLSH, si dhe është pjesë e raporteve të lëshuara nga ky institucion, ndaj konsiderohet mëse e nevojshme ndërmarrja e gjithë masave të mundshme në këtë drejtim, duke përfshirë këtu edhe ndryshime të nevojshme ligjore” thuhet në relacion. AKT-ja sipas këtij dokumenti ka ekspertizën për të bërë rikuperimin e borxhit./Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/ndryshon-ligji-per-huamarrjen-dhe-garancite-shteterore-perfshihet-me-shume-atk/)
Më të lexuarat









