Me pak buxhet per permbytjet ne 2022, mungojne investimet
Ndërkohë që vendi ynë përballet çdo vit me përmbytje, buxheti për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes për 2022 ka pësuar ulje me 2.2 mld lekë.
Kështu, gjatë 2022 për këtë qëllim janë vendosur në dispozicion afro 1.7 miliardë lekë nga 3.9 miliardë që ishte buxheti i këtij viti, nga të cilat neto për investime shkojnë vetëm 1 miliardë lekë. Por në cilat projekte është planifikuar të investohet konkretisht?
Me qëllim mbrojtjen nga përmbytjet është parashikuar të vijohet puna për rikonstruksionin e argjinaturës së Selevecit në Vlorë, ndërhyrje për mbrojtjen nga përmbytjet nga lumi Osum në Uznovë, Berat;
ndërhyrje për mbrojtjen nga gërryerja, krahu i majtë i Lumit Shkumbin, zona nga mbrojtja ekzistuese në Muriqan, nga zona e quajtur Shelgu në Cërrik; mbrojtje nga lumi Fan, fshati i Rreth i Epërm, Mirditë;
mbrojtje Lumore në Zonën Perëndimore të qytetit të Librazhdit si dhe Rehabilitimi i Hidrovorit të Karavastasë. Të gjitha këto janë projekte në process dhe që do të financohen edhe gjatë viti të ardhshëm, ndërsa projekte të reja parashikohen në periudhë afatmesme.
Ministria e Bujqësisë parashikon që vepra të mbrojtjes nga përmbytja të rehabilituara/ndërtuara (argjinatura gjatësore dhe panele tërthorë), kundrejt totalit të nevojshëm prej 300 km, do të rriten nga 28% në vitin 2021, në 35% në vitin 2023./Burmi: SCAN