Secondary Adv

Fiskalizimi, kontabilistet: Te perjashtohen bizneset e zonave rurale

Për 2021 mbetën ende të pazgjidhura shumë problematika për zbatimin e plotë të procesit.

 

Për shkak të numrit të ulët të bizneseve të vogla që nuk janë fiskalizuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë miratoi vendimin për shtyrjen me 6 muaj të periudhës pa gjoba për këto subjekte deri në qershor 2022, nga 31 dhjetori 2021, që ishte afati paraprak që parashikonte përfundimin e periudhës pa gjoba.

 

Deri tani janë fiskalizuar 42% e biznesit të vogël. Kontabilistët dhe audituesit ngrenë shqetësimin se ende mbeten të pazgjidhura nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe administrata tatimore shumë probleme për fiskalizimin që do të vështirsojnë procesin edhe për 2022.

 

Sipas konkluzioneve të ekspertëve të botuar në raportin “Fiskalizimi, sfidat, mundësitë dhe vështirësitë” për tatimpaguesit e vegjël thuhet se jo vetëm që nuk kanë infrastrukturën e duhur për zbatimin e procesit, por kjo është kosto ekstra për këto subjekte.

 

Kontabilistët kërkojnë që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme për subjektet e zonave rurale, duke përfshirë që për një periudhë disa vjecare të mos përfshihen në fiskalizim.

 

“Tatimpaguesit e zonave rurale e kanë të vështire lidhjen me internet dhe procedurat në lidhje me fiskalizimin e faturave duke i marrë në usb dhe të shkohet në drejtorinë rajonale tatimore janë shumë të vështira për t’u besuar për t’u realizuar”, thuhet në raport.

 

Shqetësim për ekspertët janë edhe shumë procedura të tjera që ende nuk kanë gjetur zgjidhje, si shkarkimi i faturës, afati i deklarimit të librave të blerjes dhe shitjes dhe problemet me faturat e importit.

 

Disa nga problematikat e fiskalizimit për bizneset

-Në ndryshim nga e-filing, ku janë përcaktuar qartë të drejtat e përdorimit, e përdorueseve Admin, apo ekonomistë, apo të tjerë, hyrja në SelfCare realizohet me kredencialet e e- Albania. 

 

Portali e-Albania ka informacion konfidencial, të cilin jo çdo operator duhet ta shohë, sidomos kur behet fjalë për palë të treta. Duhet të veprohet si me e- filling, ku ka akses të veçantë dhe për më tepër ka hapësira të veçanta edhe për palët e treta dhe ka një dallim të saktë se kush ka hyrë në portal dhe çfarë veprimi ka kryer.

 

-Duhet shmangur dhe paqartësia në lidhje me përgjegjësinë e mosfunksionimit të fiskalizimit të faturës. Është e pamundur për përdoruesin, të kuptojë se çfarë e ka shkaktuar problemin dhe rrjedhimisht dhe korrigjimin e tij.

 

-Një problematikë tjetër lidhet dhe me shkarkimin e faturave nga SelfCare. Kontabilistëve u duhet shumë kohë për të shkarkuar faturat nga Self Care dhe krijimin/mbajtjen e dokumenteve të kontabilitetit.

 

-Afati i deklarimit të librave të blerjes dhe shitjes në datë 10, krijon pamundësi për Kontabilistët e Miratuar, për verifikimin e faturave, dhe deklarimin e tyre, brenda së njëjtës ditë.

 

Zakonisht kontabilistët kanë shumë klientë dhe është e pamundur të komunikojnë me të gjithë ata, për aprovimin e faturave dhe deklarimin e tyre në kohë.

 

Nga diskutimet duket se Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave e konsiderojnë si një proces që mund të kryhet në datën 10, por nëse marrim në konsideratë kontabilistët që kanë një numër të madh klientësh, besoj se është praktikisht e pamundur.

 

Për më tepër me procesin e fiskalizimit, ku librat nuk do të mund të ndryshohen, nuk ka arsye që data 10 të jetë për deklarimin e librave dhe më pas të pritet për datën 14 për deklarimin e TVSH.

 

Në këtë lloj sistemi, diferenca kohore në këto dy data, mund të bëhet në një datë. Afati i deklarimit dhe pagesës se TVSH-se mund te shtyhet në datën 20 të muajit pasardhës në të njëjtën datë me deklarimet e tjera mujore të tatimpaguesit.

 

-Në proces vihen re dhe mospërputhje midis zbatimit në aplikacione dhe bazës ligjore. Udhëzimi aktual i TVSH parashikon një procedurë të veçantë për shpenzime të rimbursueshme të cilat nuk janë pjesë e vlerës së tatueshme të furnizimit.

 

Këto janë shpenzime të cilat zakonisht kontabilistët, këshilltarët tatimor, auditorët apo avokatët kryejnë në emër dhe për llogari të klientëve të tyre. Udhëzimi ka parashikuar që këto shuma të përfshihen në faturën e shërbimit por nuk deklarohen në libra si vlera të veçanta.

 

Me fiskalizimin, mënyra e përshkruar në udhëzim nuk mund të zbatohet. Qartësisht ose duhet të ndryshohet udhëzimi ose të krijohet mundësia të fiskalizohen vlera të tilla.

 

-Një tjetër problem madhor mbetet fiskalizimi i faturave në import. Tërheqja e të dhënave nga administrata doganore dhe konfirmimi i saj nga tatimpaguesi është një proces i mirëpritur nga të gjithë. Gjithsesi është e paqartë nevoja për fiskalizimin e faturave nga furnitorët e huaj.

 

Duke pasur parasysh se vetë procesi nuk është tërësisht i saktë dhe shumat që duhet të deklarohen nuk reflektojnë realitetin (lejohet vetëm një furnitor për një deklaratë duke mos pasur mundësi të përfshihen shpenzimet e transportit apo shpenzime të tjera që janë pjesë e vlerës doganore).

 

Në dijeninë tonë asnjë nga zgjidhjet softuerike nuk e mundëson kryerjen e këtij procesi (fiskalizimin e faturave të importit) duke e transferuar këtë proces në portalin SelfCare duke sjellë mbingarkesën/ngadalësimin e këtij të fundit.

 

Koha e lënë në dispozicion për kryerjen e këtij procesi (72 orë) do të krijojë një presion të panevojshëm për tatimpaguesit por sidomos për kontabilistët.

 

Si një shërbim i jashtëm, jo gjithmonë kontabilisti mund të jetë në dijeni të operacioneve të shoqërive. Ndoshta është momenti të vlerësohen edhe njëherë përfitimet dhe kostot e këtyre proceseve.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kontabilistet-kerkojne-zgjidhjen-e-disa-procedurave-per-fiskalizimin-bizneset-e-zonave-rurale-te-perjashtohen-per-disa-vjet/


Më të lexuarat