Secondary Adv

SHBA i jep Kosoves 3 milione dollare per luftimin e pandemise

Në mesin e janarit, Shtetet e Bashkuara, përmes USAID, i ndanë 3 milionë dollarë shtesë ndihmë urgjente Kosovës për luftimin e COVID-19.

 

Në një komunikatë të USAID thuhet se kjo ndihmë do të mbështesë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve sociale themelore.

 

Ajo gjithashtu do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të promovuar vaksinimin dhe digjitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve të COVID-19 me qëllim të lehtësimit të shkëmbimit të shpejtë të informatave në mes të institucioneve shëndetësore.

 

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19 dhe janë veçanërisht të fokusuara në zvogëlimin e ndikimeve të saj në popullatat e margjinalizuara.

 

Luftimi i një pandemie globale kërkon përkushtimin e secilit prej nesh – prandaj, bëni pjesën tuaj të punës, lani duart, mbani maskë dhe vaksinohuni”, tha Zeinah Salahi, drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë.

 

Sipas komunikatës, ndihma financiare prej 3 milion dollarë amerikan i është shtuar aktivitetit Reagimi ndaj Pandemisë, i cili zbatohet përmes UNICEF dhe ndërton mbi ndihmën paraprake në vlerë prej 5.1 milion dollarë amerikan për COVID-19 që USAID zotoi për Kosovën gjatë pandemisë.

 

Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19, thuhet në komunikatë.

 

Vitin e kaluar, USAID shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore; 7,750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme.

 

Aktiviteti Reagimi ndaj Pandemisë gjithashtu punon në avancimin e komunikimit dhe informimit publik lidhur me fushatat e parandalimit dhe vaksinimit kundër COVID-19 në vend, forcimin e sistemit të zinxhirit të ftohtë të vaksinave dhe funksionalizimin e qendrave të përkohshme të vaksinimit.

 

Shtetet e Bashkuara mbeten donatori më i madh bilateral i sistemit shëndetësor të Kosovës në forcimin e reagimit ndaj COVID-19. Në fillim të pandemisë, SHBA siguruan 50 respiratorë fare të rinj dhe të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online.

 

Shtetet e Bashkuara gjithashtu sollën pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore.

 

Rishtazi, USAID-i lehtësoi, në emër të Qeverisë së SHBA-së, shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer./Burimi:Balkanweb


Më të lexuarat