Miratohet ligji, hyjne ne fuqi lehtesimet doganore Kosove- Shqiperi
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes mes 2 qeverive për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.
Projektligji për këtë marrëveshje është miratuar fillimisht në mbledhjen e 56-të të qeverisë së Kosovës me datë 26 janar 2022.
“Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave, është miratuar në mbledhjen e 56 Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendimin Nr.02/56 të datës 26.01.2022”.
Ky Ligj ka për qëllim që të ratifikojë Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore.
Në Shtojcën e këtij Ligji është e bashkëngjitur teksti i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.
Ky ligj hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Gjatë janarit edhe Qeveria e Shqipërisë ka miratuar projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës për zbatimin e lehtësive doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve së mallrave.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur se,“marrëveshja e bashkëpunimit që miratuam sot, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës synon zbatimin e lehtësirave reciproke të ndërsjellta në procedurat doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve të mallrave”.
Sipas saj, kjo është një marrëveshje e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët midis 2 qeverive në nëntor të 2021, ndërsa sot kjo marrëveshje shkon në Parlament me qëllim lehtësimin e tregtisë midis 2 vendeve tona duke njohur të gjitha licencat që ndodhen në pikat doganore, duke unifikuar kontrollet e vetëm një vendi, duke ulur kohën e kontrollit.
Ibrahimaj tha se, “marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit dhe lehtësitë që ajo do të sjelli. Gjithashtu kjo marrëveshje njeh disa protokolle që do t’i hapin rrugë hapjes së pikave të tjera doganore të Kosovës në Republikën e Shqipërisë”.