Secondary Adv

Qeveria e Kosoves propozon pagen minimale 264 euro, Sindikatat kunder

Ministri i Financave Murati ka njoftuar se është propozuar që paga minimale në Kosovë të jetë 264 euro, por se nuk është miratuar nga përfaqësuesit e sindikatave.

 

Sindikatat duan që paga minimale të jetë jo më pak se 400 euro. Në Kosovë paga minimale nuk është negociuar që nga vitit 2011. Këshilli Ekonomik Social në Kosovë ka zhvilluar një takim javën e kaluar në përpjekje për të arritur marrëveshje me qeverinë lidhur me pagën minimale.

 

Por propozimi i qeverisë për një pagë minimale prej 264 eurosh nuk mori votat e këtij komisioni meqë nuk u mbështet nga përfaqësuesit e sindikatave. Ministri i Financave, Hekuran Murati, me anë të një shkrimi ka thënë se ky mos-votim do t’i lë punëtorët e sektorit privat me pagën minimale ekzistuese.

 

“Përllogaritja sipas udhëzimit administrativ që u prezantua para KES ishte 240.2 euro/muaj. Megjithatë, ne si Qeveri propozuam që paga minimale të jetë 264 euro/muaj, apo 1.5 euro/orë, që është në vijë edhe me premtimet tona për pagë minimale dhe për lirimin e saj nga tatimi.

 

Megjithatë, propozimi nuk morri votat e nevojshme sepse përfaqësuesit e sindikatave nuk e mbështetën”, ka njoftuar Murati. Ai ka thënë se kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim.

 

“… dhe nuk mund të shpjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”.

 

Ndryshe, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSK) thotë se paga minimale nën 400 euro nuk do të jetë e pranuar. Kryetari i SPSK-së, Jusuf Azemi nën një konferencë për medie ka thënë se, deri propozimi i pagës minimale prej 250 euro është e vogël.

 

“I kemi dy propozime nga Qeveria Kurti, i pari ishte që të ketë pagë minimale prej 350 euro dhe ai i dyti që ka ra në 250 euro. Ne e bëjmë me dije që duhet biseduar për pagën minimale.

 

Vetëm përfaqësuesit e sektorit privat kur ta japin pëlqimin atëherë paga minimale mund ta ketë efektin e vetë, përndryshe këtë përbërje të Këshillit Ekonomik Social nuk e njohim dhe për neve pagën minimale nën 400 euro është shumë e vogël”.

 

Po ashtu, ai ka thënë se Kosova tash po përballet me mungesë punëtorësh në të gjitha sektorët. “Ajo se çfarë është më e rënda është që në vitet e kaluara kemi pasur ikje të të rinjve pa ndonjë profesion apo që nuk kanë qenë të angazhuar diku në procesin e punës, ndërsa në vitin e punës kemi ikje të punëtorëve të profesioneve të caktuara”, theksoi ai.

 

Anëtari i kryesisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rashit Mehmeti , njëherësh dhe anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social, ka thënë se pas ngritjes së çmimeve shporta e qytetarit është dëmtuar shumë.

 

“Në radhë të parë ne nuk jemi kundër Qeverisë. Mirëpo sindikata shikon gjithmonë anën e punëtorit, e shikon shportën e punëtorit, shportën e qytetarit gjithmonë. Unë mendoj që shporta e qytetarit tash për tash është dëmtuar mjaft shumë me këto ngritje të cilat janë bërë.

 

Paga minimale 264 euro, po them kështu në 2017 Këshilli i Ekonomiko-Social, po flas si anëtar i këtij këshilli ne e kemi aprovuar dhe jemi marr vesh me Odat ekonomike që të jetë 250 euro. Mirëpo ajo nuk u realizua asnjëherë që nga atëherë”, ka thënë ai.

 

Mehmeti ka shtuar se në bazë të disa kalkulimeve që kanë bërë, paga minimale duhet të jetë jo më e vogël se 400 euro. “Ne i kemi nxjerrë disa statistika këtu shportën e konsumatorit e cila nuk përfshin as rrymë, as ujë e as mbeturina po vetëm jetën kështu që del diku rreth 400 e diçka euro.

 

Prandaj ne konsiderojmë që është tepër e vogël 264 euro siç e kanë nxjerr në bazë të statistikave”, ka shtuar ai. Sipas tij, në bazë të disa statistikave del se shteti i Kosovës, e ka pagën minimale më të ulëtën në rajon.

 

“Mirëpo populli nuk do të jetë i kënaqur, punëtoria nuk do të jetë e kënaqur me të sepse për shembull kemi marr edhe disa statistika të vendeve përreth. Serbia 297 euro, Bosnja dhe Hercegovina 277, Shqipëria e ka 248, Maqedonia 363 euro, kurse Kosova e ka 170 euro.

 

170 euro do të thotë ne jemi larg edhe me vendet përreth që i kemi të cekura tash për tash këtu”. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se paga minimale duhet të përcaktohet në bazë të një analizë të thellë.

 

“Ka një rigatishmëri të qeverisë së vendit për të reflektuar mbi rritjen e pagës minimale, sidomos tani kur është ky presioni social dhe presioni i rritjes së kostove të jetesës, gjë që e arsyeton diskutimin për rritjen e pagës minimale.

 

Ka propozime që hudhen në tavolinë por nuk përcaktohet paga minimale si listë dëshirave por nga një analizë e qartë”. Çështja e pagës minimale ka nxitur debat ditëve të fundit që kur kryeministri Albin Kurti njoftoi se së shpejti do të dilet me propozim.

 

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.

 

Në Programin e Qeverisë së Kosovës për periudhën 2021-2025, shkruan se paga minimale do të rritet në 250 euro. Paga minimale në shtetet e rajonit sillet nga 250 deri në 400 euro.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/paga-minimale-ne-kosove-qeveria-propozon-264-euro-sindikatat-duan-400-euro/


Më të lexuarat