Secondary Adv

Pushtimi nga Rusia, mbi 3 milione njerez jane larguar nga Ukraina

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha se më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia ka nisur pushtimin e saj më 24 shkurt.

 

Zëdhënësi i IOM, Paul Dillon, tha në një konferencë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, se totali është përpiluar nga shifrat e dhëna nga autoritetet kombëtare.

 

Agjencia e OKB për refugjatë, UNHCR, tha se Polonia strehon më shumë se gjysmën e refugjatëve ukrainas: mbi 1.8 milionë. Zëdhënësi i UNHCR, Matthew Saltmarsh, tha se shumica e refugjatëve janë gra dhe fëmijë.

 

Destinacione të tyre janë edhe vendet e tjera fqinje të Ukrainës, si: Rumania, Moldavia dhe Sllovakia. Sipas UNHCR-së, rreth 300,000 refugjatë kanë lëvizur prej atje drejt Evropës Perëndimore.

 

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për sulm pasi nuk ka marrë garanci nga NATO se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.

 

Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin rus dhe ka vendosur një sërë sanksionesh të rënda kundër Rusisë./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat