Gastronomia ne Kosove paralajmeron rritje te cmimeve, kerkesat
Shoqata e Gastronomeve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë, kanë paralajmëruar ngritjen e çmimit të shërbimeve për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të furnizimit.
Këto shoqata kërkojnë që TVSh-ja të jetë 8 për qind, në mënyrë që të dalin nga kriza në të cilën ndodhen. Shërbimet në sektorin e Hotelerisë e Gastronomisë mund të ngritën, nëse nuk kanë ndihmë nga institucionet e Kosovës.
Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, ka treguar se ka shtrenjtim të produkteve të ndryshme dhe për këtë edhe hoteleria është e detyruar t’i ngritë çmimet për shërbimet e ofruara nga ky sektor.
“E para është që Qeveria e Kosovës duhet ta ulë TVSH, ta kthejë në gjendje 8%, e dyta le ta heqë akcizën e naftës, sepse gjithçka është e lidhur me këtë. Qeveria duhet të gjejë modele se si veprojnë shtetet e tjera që të mos vije deri te rritja e çmimeve drastike në hoteleri e gastronomi.
Shërbimet nuk mund të punojnë më me ato që kanë qenë më herët para një muaji, sepse edhe gjatë COVID-it kategoritë tona kanë qenë më të atakuar dhe më të dëmtuarat”.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të marr modele nga vendet e tjera për ta dal nga kriza. Por ai ka thekuar se duhet të punohet shumë nga institucionet që përmes subvencioneve t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset.
“Kemi rritje drastike të çmimeve dhe këto normal që ndikojnë me produktet që lidhen me veprimtaritë turistike dhe hoteliere. Unë mendojë që Qeveria, ministritë përkatëse duhet me qenë më aktivë, duhet me puna më shumë të mos na zënë të papërgatitur dhe çdo nxënie pa përgatitur ne na kushton.
Është mirë që modelet dhe shembujt se si po dalin prej kësaj krize shtetet e tjera është mirë me u mundu me i sjell tek ne sepse dihet që Kosova çfarë shteti është, dhe dihet që ky sektor ka qenë më i dëmtuari, edhe ashtu më nuk kemi ku të shkojmë”.
Tutje ai ka shtuar se edhe qytetarët janë në ankth e pritje që do ta kenë të papërballueshme rritjen e çmimeve, duke shtuar se intervenimi i ekzekutivit është mëse i nevojshëm ngase bizneset mund të shkojnë drejt kolapsit.
Ndërsa Sekretari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Arian Vranica, ka thënë se për sektorin e gastronomisë do të ishte më e lehtë që TVSh prej 8 për qind që ishte aktive vitin e kaluar të vazhdonte edhe këtë vit.
Vranica ka shtuar se që nga periudha e vitit 2019 e deri më tani në bazë të të dhënave të ATK-së rreth 2 mijë biznese janë mbyllur, duke shtuar se rritja e çmimeve është e paevitueshme.
“Nëse i shohim statistikat në bazë të ATK sa biznese i kemi pasur në 2019, ka pasur 8 mijë e 104 biznese të regjistruara përfshirë edhe ne zero deklarime në ATK. Ndërsa në 2021 i kemi 6 mijë e 195 biznese në gastronomi, pra i kemi diku rreth 2 mijë biznese më pak se sa që kishte në 2019 e që është shumë.
Rritja e çmimeve është paralajmëruar edhe nga ne jo për shkak të ndonjë marrëveshje ose diçka të tillë e cila edhe nuk është e lejueshme në bazë të ligjeve për mbrojtjen e konkurrencës e cila nuk është e lejueshme me u rrit çmimet në bazë të marrëveshjeve.
Mirëpo rritja e çmimeve ka filluar gradualisht edhe me një nevojë imediate për shkak të krizave të cilat janë përcjell me çmimet e furnizimit dhe të produkteve esenciale të cilat gastronomia ka për nevojë t’i blejë dhe në rastin e shitjes normalisht që determinohet pastaj ajo që blihet”.
Për qytetarët rritja edhe më tutje e çmimeve në gastronomi, do të jetë e papërballueshme. Edhe sot çmimet janë të larta, në krahasim me nivelin e pagave.
Ndryshe, bazuar në të dhënat e ATK, në vitin 2019, ka pasur 8 mijë e 104 biznese të regjistruara, ndërsa në vitin 2021 janë mbyllur rreth 2 mijë biznese. Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ne-kosove-paralajmerohet-rritja-e-cmimeve-ne-sherbimin-e-gastronomise/