Secondary Adv

Rritet borxhi ndaj OSHEE, rritja e cmimeve ndikon te familjet dhe biznesi

Borxhet e prapambetura ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë në vend kanë pësuar rritje në tremujorin e parë të këtij viti.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të marsit 2022 gjendja debitore për katër kategoritë në total ishte mbi 80 miliardë lekë apo 654 milionë euro. Kjo shifër ishte me një rritje 3% në raport me shifrën e detyrimeve të prapambetura në dhjetor 2021.

 

Rritja e borxheve të energjisë ka ardhur në të katër kategoritë duke nisur nga institucionet shtetërorë e deri tek bizneset dhe familjarët ku duhet thënë se pavarësisht se këta të fundit janë mbajtësit e më shumë se gjysmës së borxhit total.

 

Kështu për familjarët borxhi në fund të marsit arriti 46.7 miliardë lekë duke shënuar një rritje me 0.5 për qind në raport me fundin e vitit të kaluar.

 

Rritja e detyrimeve nga familjarët është atipike nëse vlerësojmë ecurinë e përgjithshme të detyrimeve të prapambetura për këtë grup të cilët kanë qenë më të rregulltit në pagesa dhe uljen e detyrimit total.

 

Në dy periudhat paraardhëse 2020 dhe 2021 familjarët kanë pasur ulje të vazhdueshme të borxhit. Shtrenjtimi i një sërë çmimeve sidomos ushqimet dhe karburantet duket se kanë rritur presionin mbi buxhetet familjare edhe për pagesën e energjisë elektrike.

 

Për kategorinë e institucioneve buxhetore rritja ishte me gati 5 për qind në fund të marsit të këtij viti në raport me fundin e vitit 2021. Borxhi i akumuluar i institucioneve buxhetore arriti në 4.7 miliardë lekë.

 

Për insitucionet jobuxhetore ka një rritje të borxhit të akumuluar në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me rreth 7 për qind duke shkuar në 16.7 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë të këtij viti.

 

Për biznesin rritja e detyrimeve ndaj OSHEE ishte me rreth 4.5 për qind në fund të tremujorit të parë të këtij viti krahasuar kjo me shifrën e dhjetorit 2021. Gjendja debitore e bizneseve arriti në 11.9 miliardë lekë.

 

Rritja e faturave të papaguara të biznesit vlerësohet të ketë ardhur nga rritja e çmimit për një pjesë të mirë të tyre që dolën në treg të lirë në janar të këtij viti.

 

Bëhet fjalë për 7500 biznese të cilët po trajtohen me çmim preferencial nga qeveria prej 18.8 lekë dhe 19.7 lekë sipas tensionit ku janë lidhur në 20,10 apo 6 kv. Gjithsesi për këto biznese rritja është gati dyfish po të kemi parasysh që më herët e blinin energjinë me 11 lekë/kwh.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rritet-borxhi-ndaj-oshee-shtrenjtimi-i-kostove-ndikon-biznesin-dhe-familjet/


Më të lexuarat